TIRANË- Safet Bajri, i arrestuar me urdhër të SPAK, doli sot para Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë arrest me burg. Në senacën që zgjati rreth 1 orë, gjyqtarja Etleva Deda la në fuqi arrestin me burg. Masa është komunikuar edhe për Astmer Bilalin e Behar Bajrin, por që aktualisht ndodhen në qeli në kuadër të operacioneve “Metamorfoza”.
Hetimet janë kryer nga prokurorja Elida Kaçkini.
GJKKO në vendin e saj thekson se për të 3 rëndojnë tre akuzat e rënda:

“Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal”.
Sokol Tahiraj, avokati i Bajrit, në dalje nga godina e GJKKO-së, u shpreh se nuk e dinte se për çfarë kërkohej dhe akuzohej klienti i tij, sepse atë e dinte vetëm Prokuroria, për hetime që kanë kryer edhe më parë, pasi nuk ka akuzë të re.
Ai shtoi gjithashtu se Bajri ishte vetëdorëzuar dhe jo arrestuar, pasi në të kundërt nuk do shkonte në SPAK. Të dyshuarit e kanë mohuar akuzën e ngritur, duke pretenduar mungesë provash.
“E ka mohuar akuzën. Nuk ka prova të reja, është akuzë për të cilën kanë nisur hetimet më parë. Nuk e di për çfarë ngjarje kërkohet, atë e di prokuroria. Janë prova që nis shqyrtimi nga prokurorë të ndryshëm, nuk është provë ajo. Safet Bajri u paraqit vetë në Polici, nuk u arrestua. Jam i hapur me hetimin. Nuk është si e raportuan mediat arrestuar, ai është paraqitur vetë, është e provuar. Safet Bajri e ka dhënë analizën e ADN sa herë është shoqëruar”, tha ai duke mohuar se hetuesit kanë prova.
I pyetur me dëshminë që Bajri kishte dhënë në Gjykatë, ai tha:
"Safeti e bëri të qartë që 'jam paraqitur vetë, jam i hapur me hetimin, sa herë më kanë ardhur për kontroll banese jam treguar i hapur me hetimin, nëse ishte për të ikur s’do më kishin kapur kurrë, edhe vetë jam prapë këtu sepse dua të përballem me hetimin, jam i hapur me hetimin'. Është paraqitur vetë".
Bashkë me masën “arrest me burg” Gjykata e Posaçme ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Mësohet se ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.
Deri tani mësohet se Bajri e ka mohuar përfshirjen në vrasjen e xhaxhait të Ibrahim Licit, një qëndrim që e ka mbajtur edhe me herët, kur u arrestua për të njëjtën ngjarje, por hetimi ndaj tij u pushua për mungesë provash. Ai ka pretenduar se me familjen Lici në fjalë nuk ka pasur konflikte.
Nuk dihet se cilat janë provat që e kanë bindur SPAK e GJKKO për të lëshuar urdhërarrestet më 21 shkurt 2025, por mësohet se një ndihmë për hetimin kanë dhënë komunikimet në SkyECC.
Motivi i vrasjes së xhaxhait të Ibrahim Licit, rivalit të Bajrave, sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë pjesëtarin e grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.