DURRËS- Një i paraburgosur, arriti të arratiset në Durrës duke shfrytëzuar momentin që forcat e burgjeve e kishin transportuar drejt spitalit për vizitë. Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i  cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.

Report Tv mëson se nga burgu drejt spitalit e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë. Siç thonë burimet për Report Tv, 2 prej efektivëve qëndruan në makinë bashkë me drejtuesin, ndërsa 2 policë të tjerë e shoqëruan brenda spitalit.

Burime për Report Tv thonë se i paraburgosuri, gjatë vizitës ka kërkuar të shkojë në tualet. Njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, burimet thonë se Altin Ndoci, e ka qëlluar punonjësin e sigurisë dhe është larguar duke zbritur me shpejtësi shkallët nga kati i tretë i infektivit.

Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën, madje njëri prej tyre  mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin. Report Tv siguroi edhe një foto të një prej policëve jashtë spitalit të Durrësit, ku dallohet me armë në dorë duke ndjekur të të paraburgosurin. Por Altin Ndoci ia ka dalë të largohet dhe të ketë marrë drejtimin nga zona e Spitallës.

Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi luksoze A7 e bardhë me targë AA700RS në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan.

“Pavarësisht ndërhyrjes nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci arriti të largohet nga spitali”, thuhet në reagim të drejtorisë së Burgjeve.

Pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij. Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve.

Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci. Burgjet publikuan foto të të paraburgosurit ndërsa mësohet se në momentin e arratisjes Ndoci mbante veshur një xhup të zi.

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për vrasje me pagesë, grabitje dhe trafik droge.

Raportojnë për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Aldo Mustafa, Artur Korriku dhe Keti Banushi

Lajmi në përditësim...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, në shkallë gjendet gëzhoja! Polici i Burgjeve qëlloi në ajër për ta trembur

1768314259_212.jpg

Altin Ndoci është arratisur ditën e sotme nga Spitali i Durrësit. Në shkallët e spitalit është gjetur dhe gëzoja nga e shtëna e armës së policit të Burgjeve, i cili iu vu pas për ta ndaluar.

Ndoci ka arritur të largohet me vrap ndërsa dyshohet se një “Audi A7” luksoz e priste në parkimin e spitalit të Durrësit.

Ora 15:26
Arratisja e Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit

I gjithë zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit është pezulluar nga detyra pas arratisjes kriminelit Altin Ndoci nga spitali i qytetit bregdetar, ku ishte shoqëruar për të marrë mjekim. Drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërrloj, shefi i policisë dhe zyrtarë të tjerë do të jenë të pezulluar deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave dhe pritet të dalin me konkluzionet për përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.

Ora 15:16
Report Tv siguron foton e Altin Ndocit duke u arratisur nga Spitali i Durrësit, momenti kur ia fut vrapit drejt ‘Audit’ luksoz

Report Tv siguron foton e arritjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit. Ndoci shihet teksa po vrapon për tu larguar dhe i veshur tërësisht me rroba të zeza.

Altin Ndoci që prej vitit 2020 mbahej i izoluar në burgun e Durrësit me urdhër të SPAK. Ai u shoqërua sot për në spital për të kryer vizita mjekësore nga 5 efektivë të Burgjeve, 2 prej të cilëve e shoqëruan brenda.

Ai kërkoi të shkonte në tualet, më pas goditi me grusht një prej efektivëve dhe u largua nga kati i 3-të nëpërmjet shkallëve. Një prej efektivëve që e ka ndjekur pas, ka qëlluar në ajër për ta trembur, por Ndoci është larguar nga ku dyshohet se një “Audi A7” e priste në zonën e parkimit.

1768313646_arratisjaealtinndocit.jpeg

Foto nga momenti i arratisjes së Altin Ndocit
Ora 14:48
Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit/ Report Tv siguron foton e policit të Burgjeve duke ndjekur të burgosurin me pistoletë në dorë

1768312110_policialtinndoci.jpg

Report Tv ka siguruar foton e policit të Burgjeve, i fotografuar jashtë ambienteve të spitalit të Durrësit duke ndjekur nga pas të burgosurin Altin Ndoci, i cili arriti të arratisej.

Polici i burgjeve është me pistoletë me dorë dhe i është vënë pas të burgosurit i vetëm.

Ai është qëlluar me grusht nga Altin Ndoci brenda në spital, moment kur ai ka mundur t’ia mbathë me vrap jashtë spitalit. Polici e ka ndjekur nga pas si dhe ka qëlluar 1 herë në ajër për ta neutralizuar, por Ndoci është larguar.  

Ora 14:26
‘Dua të iki në tualet’, Ndoci me plan të mirëmenduar për arratisjen, një 'Audi A7' e priste në parkimin e spitalit të Durrësit

Duket se Altin Ndoci e kishte mirëmenduar planin për tu arratisur nga spitali i Durrësit. Vetëm 5 policë e shoqëronin, ku njëri prej tyre ishte shoferi, 2 të tjerë pritën në furgon dhe vetëm 2 u futën brenda në spital. Pasi është futur në dhomë, i burgosuri i ka kërkuar policit që të shkojë në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur policin dhe është larguar me hspejtësi. Dyshohet se një audi A7 i bardhë me targa AA700RS e priste në parkimin e Spitalit të Durrësit dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës. Ai ishte i veshur me një xhup të zi. 

Ora 14:25
Arratisja nga spitali i Durrësit/ Altin Ndoci shoqërohej nga 5 efektivë të Burgjeve, vëtëm 2 prej tyre u futën brenda në spital

1768309539_infektividurres.jpg

I burgosuri Altin Ndoci është shoqëruar për në spitalin e Durrësit nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve, njëri prej të cilëve shoferi. 2 prej efektivëve janë futur brenda në ambientet e spitalit.

Ndoci ka kërkuar që të shkonte në tualet. Pasi ka dalë nga tualeti ka goditur me grusht njërin prej efektivëve dhe është larguar nga kati i 3-të. Polici i cili është qëlluar e ka ndjekur nga pas me vrap, ka qëlluar me pistoletë në ajër për ta trembur, por Ndoci është larguar.

Ora 14:09
Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit/ U kërkoi efektivëve të shkonte në tualet dhe u largua! Polici qëlloi në ajër, por i burgosuri ia mbathi

1768309522_infektividurres.jpg

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se Altin Ndoci teksa ndodhej në spitalin e Durrësit i ka kërkuar policisë të shkonte në tualet. Ndoci është shoqëruar nga dy efektivë të burgjeve dhe pasi ka dalë nga tualeti, ka goditur policin dhe më pas ia ka mbathur nga kati i 3 të i spitalit duke zbritur nga shkallët.

Njëri prej efektivëve të policisë ka qëlluar në ajër për ta trembur, por Altin Ndoci ia ka mbathur. Dyshimet paraprake janë se i burgosuri të jetë larguar drejt zonës së Spitallës.

Ora 14:05
U arratis nga spitali i Durrësit, kush është Ndoci! I akuzuar për masakrën e Bradasheshit dhe ekzekutimin e Andi Zylyfit! Si i shpëtoi gjykimit për vrasjen e 4 personave

Një prej emrave më të njohur të botës së krimit, Altin Ndoci arriti të arratiset nga Spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për vizita mjekësore. Ndoci ka një historik të gjatë në botën e krimit dhe rezulton pjesë e organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan.

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, pas dëshmive të 3 të penduarve të drejtësisë.

Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për ngjarje të rënda kriminale, Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit. 

Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në vrasjen e 4 personave, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës po në vitin 2020 në qytetin bregdetar. 

Por në prill të 2024-ës Gjykata e Posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, që e përfshinë Altin Ndocin në këto 4 vrasje. Për shkak të deklaratave të rreme, Klevis Alla, e humbi statusin e të penduarit të drejtësisë, dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit

Megjithëse mori pafajësi për vrasjet, Altin Ndoci qëndron në paraburgim pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të një tjetër të penduari të drejtësisë, Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda. 

Sipas dëshmive, Ndoci, dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit në dhjetor 2018 në Peqin dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe armë pa leje. Kjo ngjarje kriminale dyshohet se është porositur nga organizata kriminale e dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. 

I penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, e ka akuzuar Altin Ndocin, se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit  me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Alibejt, Endrit Alibej. Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit. Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, do të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq. I riu nga Puka, ose nuk shkoi në varrim nga frika e një atentati ndaj tij, ose ekzekutorët nuk arritën ta identifikonin dot.

Ora 13:53
Arratisja e të burgosurit nga spitali i Durrësit/ Altin Ndoci qëlloi efektivin e policisë që e shoqëronte në dhomë, iku me vrap nga kati i 3-të i Infektivit

1768307399_altinndoci.jpg

Burime për gazetarin e Report Tv Aldo Mustafa kanë bërë me dije se Altin Ndoci, ka qëlluar punonjësin e policisë që e shoqëronte në dhomë dhe është larguar me shpejtësi nga kati i 3-të i infektivit duke zbritur nëpërmjet shkallëve.

Altin Ndoci, i cili që prej vitit 2020 mbahej në izolim në burgun e Durrësit, është shoqëruar për në spitalin e Durrësit për vizita mjekësore nga ku është arratisur.

Ora 13:44
Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, Drejtoria e Burgjeve: Ishte për vizita, policët nuk arritën ta ndalonin

1768308279_burgjetdurres.jpg

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar pas arratisjes nga burgu të Altin Ndocit.

Altin Ndoci ka arritur të arratiset nga Spitali i Durrësit ku ishte shoqëruar për të kryer disa vizita mjekësore. Në deklaratë thuhet se pavarësisht reagimit të forcave të Policisë së Burgjeve, nuk është bërë e mundur ndalimi i tij.

Sahaq, forcat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e Altin Ndocit.

“Deklaratë paraprake

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë.