I biri i dha lamtumirën Ndokës I rrethuar nga policia/ Pamjet
Samuel Ndoka shpqërohej në varrimin e të atit nga dy furgona policie dhe ishte në vëzhgim nga efektivët gjatë gjithë ceremonisë.Policia pritet të marrë në pyetje familjarët e viktimës,për të përcaktuar pistën kryesore të hetimit. Autorët e krimit dyshohen vrasës profesionistë,s'kanë lënë asnjë gjurmë. VIDEO FOTO
I është dhënë lamtumira këtë të dielë Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, teksa po shkonte për në banesën e tij në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës.
Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë mijera vetë, që nga banorë të zonës e deri tek të afërm, miq dhe figura të njohura të politikës lokale. Gjithashtu, i pranishëm ka qenë djali i të ndjerit, Samuel Ndoka, të cilit Drejtoria e Burgjeve i kishte dhënë leje për të marrë pjesë në varrim. Ai është sjellë nga dy furgonë policie dhe ka qenë gjatë gjithë kohës me pranga në duar dhe nën mbikëqyrjen e efektivëve që e shoqëronin. Ceremonia është zhvilluar në heshtje, me familjarët dhe të afërmit që u kanë qëndruar larg medieve, duke mos thënë asnjë fjalë për vdekjen e 48-vjeçarit.
Ndërkohë, policia e Lezhës së bashku me specialistët e Krimeve të Rënda të dërguar nga Tirana po vijojnë hetimet mbi ekzekutimin mafioz. Aktualisht blutë janë fokusuar në tre pista, që nga detyra e Ndokës si anëtar i Këshillit Bashkiak e deri tek konfliktet e të birit.
Për momentin burimet policore janë të rezervuara, por mësohet se në planet e tyre është marrja në pyetje e familjarëve të viktimës pas mortit. Dëshmia e tyre konsiderohet shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrin hetimet dhe për mundësinë për të rënë në gjurmët e autorëve të ekzekutimit. Në mungesë të gjurmëve në vendin e ngjarjes, hetuesit janë të bindur se bëhet fjalë për vrasës profesionistë dhe me pagesë.