Një i burgosur shqiptarZvicër i është arratisur teksa po bëhej gati transportimi i tij në një tjetër burg. Ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 09:00 në distriktin Baden Aargau.

Sipas mediave, 23-vjeçari shqiptar, po përgatitej që të futej në një automjet transporti për t’u dërguar në një tjetër burg.

Në këtë moment, shqiptari, edhe pse ishte i prangosur, mundi t’u shpëtonte forcave policore dhe u arratis.

Policia ka publikuar një foto të tij, por nuk ka bërë të ditur identitetin.

23-vjeçari nga Shqipëria ka qenë i veshur me pantallona të zeza, xhaketë të zezë dhe këpucë të bardha.

Pavarësisht se nisi menjëherë një kërkim për gjetjen e tij fill pas arratisjes, nuk u bë e mundur gjetja e shqiptarit.

23-vjeçari është i dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë për krime kundër pronës, por vendimi nuk është i formës së prerë.

Policia, në thirrjen që u ka bërë qytetarëve që të denoncojnë nëse pikasin shqiptarin, nuk e konsideron atë një person të rrezikshëm.