Një 51-vjeçar i dënuar me 10 vite burg për trafik droge, është arrestuar në Këlcyrë dhe do të ekstradohet në Itali.

Fatbardh Çela alias Gentian Çela ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi është i dënuar nga gjykata e Veronës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Itali. 

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Fugitive”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar.

I dënuar me 10 vjet burgim, për trafikim të narkotikëve, kapet në Këlcyrë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, 51-vjeçari.   

Në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas të kërkuar, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fugitive”.  

Gjatë këtij operacioni, si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, u bë e mundur kapja në Këlcyrë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin, i shtetasit:    

-Fatbardh Çela alias Gentian Çela, 51 vjeç, banues në Këlcyrë.   

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Veronës, Itali, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.   

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.