I dënuar me 25 vite burgim nga shteti italian për vrasje, rrëmbim personi e kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë, Ilir Paja, një eksponent i njohur për krimet në Itali, është liruar nga qelia në Shqipëri për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Vendimi është dhënë më datë 17 shkurt nga gjyqtarja e Apelit Brikena Ukperaj, e cila pranoi kërkesën e prokurores Arta Marku për ndryshim të masës së sigurisë.
Ndaj Ilir Pajës është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa çështja e tij prej vitesh sorollatet në shkallët e gjyqësorit. Arsyeja është njohja e vuajtjes së dënimit të dhënë nga gjykata italiane në shtetin shqiptar. Gjykata e Apelit bën me faj për përfundimin e afateve 3-mujore të paraburgimit për Pajën, Ministrinë e Drejtësisë me argumentin se ka vonuar përcjelljen e akteve drejt Italisë. Vetë ministria e mohon këtë arsyetim duke sqaruar se dokumentet janë dërguar në kohë.
Nga Italia në Shqipëri, akuzat dhe arrestimi i Ilir Papajt
Ilir Papaj, i njohur me nofkën “Ufo” për shkak të arratisjeve të bujshme nga izolimi, është dënuar nga Gjykata e Milanos me 25 vite e 4 muaj burgim për veprat penale “Vrasjes me dashje”, “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Rrëmbim personi dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë”. Sipas hetimeve, Papaj në bashkëpunim me Gentjan Makshinën, ka vrarë Ramires Saxa Louis Gonzales, si edhe ka tentuar të vrasë Orenalla Calle Jose Enrique. Gjithashtu ai është dënuar për pengmarrje, plagosje dhe dhunë me armë, si edhe përdhunim seksual, disa herë, ndaj shtetases Lascar Nina Alexandra.
Pas dy arratisjeve të bujshme nga burgu në Itali, Paja arriti të vinte në Shqipëri ku u arrestua në nëntor të vitit 2022 në një lokal në Laprakë. Në Shqipëri Ilir Paja akuzohej për “plagosje e rëndë me dashje” në dëm të punonjësit të Policisë Blendi Haxhimihali, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2008, gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ku mbeti edhe vetë i dëmtuar.
Zvarritja e çështjes nëpër dyert e gjykatave
Tre shkallët e gjyqësorit vendosën që Ilir Paja ta shlyente dënimin e shtetit Italian në vendin tonë. Ai e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se për të njëjtat fakte penale është dënuar më parë nga Gjykata për Krimet e Rënda. Kushtetuesja pranoi pjesërisht ankimimin e Ilir Pajës, duke dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Këtu nis dhe i gjithë procesi i zvarritjes. Gjykata e Lartë prishi vendimet dhe e dërgoi çështjen për shqyrtim në themel nga Gjykata e Apelit me një tjetër trupë gjykuese. Çështja u regjistrua më datë 17 nëntor 2025. Nga këtu Gjykata e Apelit kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të komunikonte me autoritetet italiane, për t’i pyetur nëse i qëndronin aprovimit për njohjen e vendimit të dënimit për Ilir Pajën. Sipas Apelit, Ministrisë së Drejtësisë i ishte kërkuar të njoftonte autoritetet italiane për urgjencën e përcjelljes së akteve, urgjencë kjo e diktuar nga fakti se shtetasi Ilir Paja vijonte të ishte nën masën ‘arrest me burg’, e cila kishte afat 3-mujor, afat që niste në 17 nëntor 2025”.
Ndërkohë në një reagim zyrtar, Ministria e Drejtësisë thotë “Faktet zyrtare dëshmojnë se, që prej nisjes së procedurës në vitin 2022, Ministria ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme, të dokumentuar dhe pa asnjë vonesë, duke përcjellë çdo kërkesë të Gjykatës së Apelit pranë autoriteteve italiane, si dhe duke transmetuar menjëherë çdo informacion dhe akt plotësues të mbërritur, në përputhje të plotë me legjislacionin penal vendas dhe detyrimet ndërkombëtare.”
Siç thotë dhe Ministria e Drejtësisë, aktet e kërkuara nga autoritetet italiane nuk erdhën në kohë, pra deri në datën 16 shkurt 2026. Një ditë më pas, fiks në datën kur përfundonte afati 3-mujor i paraburgimit, Ilir Paja ka dorëzuar kërkesën për revokim të masës së sigurisë “arrest me burg”, duke fituar kështu daljen nga qelia dhe qëndrimin në shtëpi nën mbikëqyrjen e pandërprerë policore.
Arratisjet e bujshme të Ilir Pajës
“Ufo” u arrestua në fillim të vitit 2006 në Itali. Pas disa muajsh n izolim, ai u arratis nga burgu në qershor 2006 duke përdorur si litar çarçafët. Arratisjen e radhës e bëri më 14 gusht 2007 teksa po transportohej me ambulancë drejt spitalit. Paja po shtirej se vuante nga problem të rënda psikologjike dhe se kishte tentuar isa herë vetëvrasjen.
Ai kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë.
Komente








