I dënuar në Itali për trafik droge
Arrestohet në Fier Fatmir Kajolli

I dënuar në Itali për trafik droge<br />Arrestohet në Fier Fatmir Kajolli
FIER - Ish-këshilltari i Partisë Republikane në Këshillin e Qarkut të Fierit Fatmir Kajolli është arrestuar nga policia në banesën e tij në Fier, pasi është dënuar nga gjykata e shtetit fiqnj të Italisë për trafik të lëndëve narkotike.  Prokuroria ka kërkuar njohjen e vendimit të dënimit të dhënë nga gjykata e Milanos me 22 vite burg.

Ky nuk është një dënim i ri për biznesmenin 51-vjeçar, pasi ai është njohur edhe më parë me vendimin e Gjykatës italiane 22 vjet heqje lirie dhe gjobë prej 190 mijë euro. 

Ai është arrestuar edhe më parë për këtë akuzë për llogari të drejtësisë italiane, por është lënë më tej i lirë nga Gjykata e Fierit e cila ka refuzuar kërkesën për ekstradim në vitin 2012  me argumentin se në burgjet e këtij shteti i rrezikohej jeta.

Vënia e tij në pranë në banesën e tij në Fier këtë të martë, vjen pas një mase sigurie të arrestit me burg që Gjykata e Shkallës së Parë dha këtë të martë ndaj tij. 

Kjo pasi drejtësia italiane ka vënë në dispozicion të prokurorisë shqiptare dosjen e dënimit të Fatmir Kajollit, e gjatë procedurës të shqyrtimit të ketyre akteve, Kajolli do të qëndrojë në burg.
 
Meqenëse vepra dhe dënimi cilësohen të rënda, prokuroria vlerësoi se procesi për njohje vendimit duhej të zhvillohej me masën e sigurimit arrest në burg. Në bazë të këtij procesi nëse gjykata shqiptare, vendos njohjen e vendimit të dhënë gjykatat italiane për dënimin me 22 vite burg të Kajollit, ky i fundit duhet të shlyejë dënimin në Shqipëri.

Gjatë vitit të kaluar, Prokuroria vendosi sekuestrimin e pasurisë së Kajollit me vlerë prej rreth 25 milionë euro në asete dhe troje, mbi bazën e ligjit antimafia. Këto pasuri sipas prokurorisë dyshohet se janë vënë nga fitimet e aktiviteti kriminal në Itali. Arrestimi vjen vetëm pak muaj pasi Kajolli, përfitoi nga një amnisti të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai ishte dënuar me 2.9 vite burg, bashkë me dy djemtë e tij. Të dy ata goditën një komisioner zgjedhor të Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve lokale vitin e kaluar në Fier. Po ashtu ai ka qenë nën hetim për abuzime me kompaninë e karrotrecëve që menaxhonte parkimet publike të bashkisë së Fierit. 

Gjykimi/ “International Parking 2011”, Kajolli e djali të pandehur. Kajolli, gjoba 400 deri në 500 mijë me karrotreca
Fatmir Kajolli, ish-anëtari i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Fierit, njëherësh mik i kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu, dhe i dënuar me disa vite burg nga drejtësia në Itali për trafik droge, kishte ngritur një skemë vjedhje nëpërmjet kompanisë së tij “International Parking 2011”, duke marrë me karrotrec automjetetet e qytetarëve dhe më pas u vendoste gjoba të rënda.

Në këtë skemë ishin të përfshirë dhe dy zyrtarë të Bashkisë së Fierit, të cilët i kishin dhënë lejë Kajollit për shërbimin me karrotrec, por që nuk kryenin asnjë kontroll. Abuzimet e kompanisë me gjobat e fryra ndaj qytetarëve për parkime të gabuara, kanë vijuar edhe pasi shoferët e karrotrecëve, administratori i kompanisë Florim Kajolli, djali i Fatmirit dhe disa persona të tjerë ishin marrë të pandehur.

Aktiviteti i kësaj firme është shtrirë dhe për disa muaj të tjerë, ku nga përgjimet që disponon “Shqiptarja.com”, rezulton se tashmë ishte vetë Fatmir Kajolli që orientonte dy grupet, të cilave u kishte dhënë detyrë të bënin nga 400 deri në 500 mijë lek të vjetra, në të kundërt do të shkarkoheshin punonjësit.

Madje Kajolli, në përgjime del duke i pohuar punonjëve të tij, se duhet të paraqiteshin “X” apo “Y” vend në Fier për të marrë me karotrec automjetin, që sipas tyre ishte parkuar në mënyrë të gabuar. Nisur nga ky aktivitet kriminal, pak kohë më parë prokuroria sekuestroi dy karrotrecat e kompanisë “Internatiaonal Parking 2011” me targa AA 985 BF, i tipit Mercedes Benc dhe mjeti AA 989 CY, i tipit “Audi A4”. Për këtë ngjarje, Kajolli është duke u gjykuar në Fier, së bashku me djalin e tij.


Kush është Kajolli/ Mik i politikanëve
Biznesmeni Fatmir Kajolli është një emër i njohur dhe në politikë. Në procesin elektoral të vitit 2011 ai u zgjodh anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Fierit nën siglën e Partisë Republikane. Po ashtu ai kishte lidhje të ngushta me kreun republikan Fatmir Mediu. Në zgjedhjet e qershori te 2015 ai nuk u fut në listat zgjedhore të një subjekti tjetër, por nuk arriti të fitonte. Pikërisht për këtë shkak ai la gjurmë edhe ditën e votimeve.

Së bashku me dy djemtë e tij u përfshi në një sherr me një numërues të Partisë Socialiste, për faktin se i mungonin disa vota për t’u zgjedhur anëtar i këshillit bashkiak. Fatmir Kajolli është një emër i njohur jo vetëm për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Në vitin vitin 2002 u dënua nga Gjykata e Romës me 16 vite burg për trafik droge. Ndërkohë që gjykata e Milanos e ka dënuar me 24 vite për të njëjtën akuzë.

Në vitin 2011 ai u arrestua nga policia shqiptare për llogari të drejtësisë italiane. Por gjykata e Fierit vendosi të mos lejonte ekstradimin në Itali, vendim që u la në fuqi nga Apeli i Vlorës. Në shtator të këtij vitit vihet sërish në pranga për shkak se dhunoi një klient pranë një pike karburantit. Për këtë ngjarje ai u akuzua se shkeli vendimin e gjykatës mbi arrestin e shtëpisë.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar