Greqi - Një 48-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu i Korydallos në Athinë, rreth orës 08:30 të mëngjesit së ditës së sotme. Sipas informacioneve, shqiptari arriti të arratiset duke vrapuar, ndërsa punonjësit e burgut dyshohet se hapën derën për të hedhur mbeturinat nga depoja qendrore e materialeve të burgut.

Shqiptari është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe për shkelje të ligjeve për armët, dhe duhej të lirohej në korrik 2031. Policia greke po vijon kontrollet intensive me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e 48-vjeçarit.

Ndërkohë pas ngjarjes, dy punonjës të burgut të Koridhalos janë arrestuar. Ata akuzohen se kanë lejuar pa dashje arratisjen e të dënuarit, ndërsa ndaj tyre është hapur edhe një procedurë disiplinore.

Burgu i Koridhalos konsiderohet si një nga institucionet më të njohura dhe më problematike të sistemit penitenciar grek. Në këtë burg vuajnë dënimin edhe shumë shtetas shqiptarë.