TIRANË- Ilir Shehut, pronarit të katër kompanive farmaceutike, i janë sekuestruar 29 pasuri me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës. Mes tyre janë kompanitë “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”, tetë prona të paluajtshme, tetë automjete dhe pasuri të regjistruara në emër të subjekteve të lidhura me të. Shehu, i njohur edhe si Ilir Pasholli, është dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, pengmarrje dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas prokurorisë, autoritetet italiane e identifikuan si pjesë të një skeme kontrabande ilaçesh mes Italisë dhe Shqipërisë.

Si funksiononte skema e kontrabandës

Sipas hetimeve, Shehu i blinte ilaçet në Itali me faturë zyrtare, ku shënoheshin mbi dhjetë lloje produktesh farmaceutike. Kur ngarkesa dilte nga Italia, dokumentet që paraqiteshin në doganë pasqyronin peshën dhe vlerën reale të mallit.

Manipulimi, sipas prokurorisë, ndodhte në doganën shqiptare. Pesha dhe vlera e ngarkesës mbeteshin të njëjta, por në dokumente deklaroheshin vetëm katër ose pesë produkte. Barnat e tjera përfundonin në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Për një pjesë të tyre, sipas hetuesve, përdorej një operator tjetër për t’u siguruar dokumentacion dhe për të fshehur origjinën e mallrave.

Ngriti dy godina biznesi pas dënimit në Itali

Hetimi pasuror nisi pas materialeve të përcjella nga Policia e Shtetit, sipas të cilave Shehu dhe personat e lidhur me të dyshohej se zotëronin pasuri të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Prokuroria thotë se Shehu zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të ndërtuara me kapital të krijuar pas dënimit të tij për trafik ndërkombëtar droge në Itali.

Sipas njoftimit, edhe aksioneri italian i kompanisë “Medicamenta” është nën akuzë për korrupsion në Itali. Prokuroria thotë se kompanitë e Shehut kanë vijuar aktivitetin në tregun shqiptar pa iu nënshtruar një kontrolli të thelluar pasuror apo ligjor.

“Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, thekson Prokuroria.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera e pasurive të luajtshme të Ilir Shehut nuk justifikohet ekonomikisht dhe dyshohet se ato burojnë nga veprimtaria e tij kriminale, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Pasuritë e sekuestruara të Ilir Pashollit
1. Pasuria me nr. 211/1/59, Z.K 2119, vol. 12, fq. 12, Rurale 2,
2. Pasuria me nr. 53/84, Z.K 2735, vol. 9, fq. 219, Rurale 1,
3. Pasuria me nr. 211/1/46, Z.K 2119, vol. 10, fq. 237, Rurale 2,
4. Pasuria me nr. 211/1/45, Z.K 2119, vol. 10, fq. 236, Rurale 2,
5. Pasuria me nr. 211/1/42, Z.K 2119, vol. 10, fq. 218, Rurale 2,
6. Pasuria me nr. 211/1/48, Z.K 2119, vol. 11, fq. 76, Rurale 2,
7. Pasuria me nr. 211/1/72, Z.K 2119, vol. 12, fq. 149, Rurale 2,
8. Pasuria me nr. 211/1/91, Z.K 2119, vol. 14, fq. 8, Rurale 2.
Për subjektin: Mega Store shpk:
1. Pasuria me nr. 211/1/49, Z.K 2119, vol. 11, fq. 77, Ruale 2.
Pasuri të luajtshme: MEGASTORE:
1. Peugeot, vitprodhimi 2018,
2. Volksëagen Jetta, vitprodhimi 2015,
3. Mercedez Benz GLE 2019,
4. Skoda Kodiaq, vitprodhimi 2019,
5. Volksëagen Caddy, vitpordhimi 2018,
6. Volksëagen ID.3, vitprodhimi 2024,
7. Land Rover Defender,
8. Peugeot, vitprodhii 2018.
Sekuestrimin e subjektit
1. ‘I. Sh’, PF; subjektin ‘MEDICAMENTA’ shpk,
2. Subjektin ‘MEGASTORE’ shpk;
3. Subjektin I.Sh. PF;
4. Subjektin I.Sh. PF;
5. Subjektin ‘UNIPHARMA’ shpk; dhe
6. Subjektin ‘ITALIALBA PHARMA’ shpk.
Pasuritë në emër të subjektit Hajrie Shehu, bashkëshortja e Ilir Shehut
1. Pasuria me nr. 218, Z.K 3640, vol. 3, fq. 144, ZVRPP Elbasan,
2. Pasuria me nr. 221, Z.K 3640, vol. 3, fq. 146, ZVRPP Elbasan,
3. Pasuria me nr. 284, Z.K 3640, vol. 2, fq. 141, ZVRPP Elbasan,
4. Pasuria me nr. 175, Z.K 3640, vol. 3, fq. 103, ZVRPP Elbasan,
5. Pasuria me nr. 1001, Z.K 3640, vol. 4, fq. 8, ZVRPP Elbasan, dhe
6. Pasuria me nr. 100/8, Z.K 3640, vol. 4, fq. 16, ZVRPP Elbasan.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës

Sekuestrohen me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit Ilir Shehu, alias Ilir Pasholli përfshirë subjektet ‘Medicamenta’, ‘Mega Store’, ‘Unipharma’ dhe ‘Italialbania Pharma’ si dhe tetë prona të paluajtshme dhe tetë automjete dhe prona të regjistruara në subjekte të lidhura me të.

Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.23, të nisur mbi bazën e akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbi ankesën se ky shtetas dhe personat e lidhur me të zotërojnë një sërë pasurish të përfituara në mënyrë të paligjshme nga përfshirja në ativitetin kriminal të lëndëve narkotike, rezultoi se shtetasi Ilir Shehu alias Ilir Pasholli  ishte zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.

Nga hetimet rezultoi se ai kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë. Në momentin e eksportit për në Shqipëri, dokumentacioni kalon doganën italiane me vlerë dhe peshë reale. Në doganën shqiptare ndodhte manipulim pasi ruhej vlera dhe pesha por shkurtohej lista e artikujve, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Një pjesë e këtyre barnave, legalizohen nëpërmjet një operatori tjetër, me qëllim të fshihen gjurmët e origjinës së kontrabandës.

Ky shtetas rezultoi se krijoi një pasuri të ngritur mbi aktivitet kriminal dhe mungesë kontrolli institucional. Ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të krijuar me kapital pas dënimit për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Për më tepër, aksioneri italian i Medicamenta është një shtetas italian nën akuzë për korrupsion në vendin e tij. Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurisë se luajtshme të shtetasit I. Sh. alias I.P., rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se kjo pasuri e luajtshme, të jetë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë