Pasi Erion Veliaj kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore në ngarkim të tij në GJKKO, për shkak të pamundësisë shëndetësore për të marrë pjesë në sallën e gjyqit, trupi gjykues deklaroi se pretendimi i kryebashkiakut për pamundësi që të vijë në seancë nuk provohet nga mbrojtja e tij.
Prokurori Ols Dado ndër të tjera pranoi problemet me gjendjen shëndetësore të Veliajt, por sipas tij, nuk është në gjendjen që t’i pamundësohet ardhja në gjyq.
Ai solli në vëmendje edhe kërkesën e kryebashkiakut ndaj SPAK që ta lejonte të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
“Informacioni i sjell nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk, paraqet situatën e Veliajt, që nuk ka gjendje emergjente. Avokati sjell informacione të njëanshme. DPB ka zbatuar korrekt procedurat dhe ndjekur strikt rregulloren. Di që ka patur komunikim mes mbrojtjes dhe burgjeve. Gjendja që përcakton mjeku turk nuk pamundëson ardhjen në gjyq, për më tepër i pandehuri kërkoi leje nga SPAK të merrte pjesë në evente, ndërsa në gjyq thotë jam në pamundësi të vij”, tha mes të tjerash Ols Dado gjatë seancës.
Ndërkohë avokati Plarent Ndreca iu përgjigj duke i thënë se kërkesa për t’ju bashkuar Asamblesë së PS ka qenë me alternative, ose pjesmarrje fizike, ose lidhje me videokonferencë.
Lajmi kryesor:
Gjyqi në themel për Veliajn, kryebashkiaku kërkon shtyrjen e seancës në GJKKO: Doja të isha në sallë, por kam probleme shëndetësore me këmbën! Trupi gjykues refuzon (VIDEO)











