Shtyhet sërish seanca gjyqësore për Shpëtim Zizën, të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një të mituri në Peshkopi.
 
Ai ka kërkuar nga Gjykata lirimin, pasi vuan nga probleme të theksuara mendore. Ziza ka tentuar dy herë të vetëvritet në qeli, ndërsa familjen e tij e ka ndjekur një kalvar vuajtjesh dhe vrasjesh si hakmarrje për krimin që Ziza është dënuar.
 
Pas daljes nga seanca nëna e tij, Melita Ziza bën apel për drejtësi ndërsa shprehet se autorët janë ende të lirë.
 
"Për burg isha unë jo djali i sëmurë, thonë është i shëndoshë, mirë shumë mirë, por të nxjerrë autorët që janë të lirë.
 
Më kanë vrarë djalin për gjakmarrje
" shprehet ajo.
 
Nga ana tjetër avokati i Shpëtim Zizës, Thoma Miço deklaron për Report TV se klienti i tij duhet të lirohet për mjekim më të specializuar ose të shtrohet në spital.
 
"Ai mund ta vuajë dënimin i lirë ose në një institucion të specializuar. Ka bërë tentativa për vetëvrasje dhe në bazë të sëmundjes mendore të skrizofenisë, në kushtet që i rrezikohet jeta ai duhet të dalë nga burgu".
 
Shpëtim Ziza prej 10 vitesh vuan dënimin, burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes së një të mituri në Peshkopi. Ndërkaq ndaj familjes së tij janë kryer disa herë atentate në shenjë hakmarrje, ndërsa pak muaj më parë atij iu vra vëllai.


dy.b/shqiptarja.com