Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, ishte një nga politikanët që shprehu publikisht ngushëllime për vdekjen e Ratko Mlladiçit, arkitektit të masakrës së Srebrenicës që u varros si hero në Serbi pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të BE-së.

Ndonëse nuk mori pjesë në funeral, Mandiçi i dërgoi telegram ngushëllimi Darko Mlladiçit, djalit të Ratko Mlladiçit, në emrin e tij dhe të partisë që drejton, Demokracia e Re Serbe.

“Në emrin tim dhe të Demokracisë së Re Serbe i shpreha ngushëllimet Darko Mlladiçit për vdekjen e babait të tij, gjeneralit Ratko Mlladiç.”

Edhe pas reagimeve, Mandiçi nuk u tërhoq nga qëndrimi. Në Kuvend ai deklaroi se ngushëllimet i kishte shprehur “në përputhje me zakonet” dhe se nuk shihte asgjë të diskutueshme në telegramin e tij.

Pikërisht ky veprim ka shtyrë Forumin Shqiptar, pjesë e shumicës parlamentare në Mal të Zi, të vendosë njëzëri që deputetët e tij të votojnë pro shkarkimit të Mandiçit.

“Nuk ka kompromis me glorifikimin e kriminelëve të luftës”, deklaroi Forumi Shqiptar, duke theksuar se çështja nuk është thjesht një votë për ose kundër një politikani dhe as mbështetje për nismëtarët e mocionit.

Krahas Shqipërisë, Mali i Zi është vendi më i avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht se mohimi ose glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare bien ndesh me vlerat mbi të cilat bazohet Unioni dhe me procesin e integrimit evropian.

Prandaj, Forumi Shqiptar argumenton se vota për shkarkimin e Mandiçit nuk lidhet vetëm me një funksionar, por me orientimin evropian të Malit të Zi.

“Çështja thelbësore është nëse Mali i Zi e pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane”, thuhet në deklaratë.

Forumi Shqiptar shton se çdo përpjekje për të glorifikuar Ratko Mlladiçin është “e papranueshme, antievropiane dhe në kundërshtim me të ardhmen që kanë zgjedhur qytetarët e Malit të Zi”.

Për këtë arsye, shefi i grupit parlamentar të Forumit Shqiptar do të nënshkruajë nismën për shkarkimin e Mandiçit, ndërsa deputetët e kësaj force politike do të votojnë pro saj.

“Nuk është mbështetje për propozuesin e nismës. Ky vendim buron nga parimet dhe vlerat e Forumit Shqiptar, të cilat nuk mund të jenë objekt i kalkulimeve të politikës së ditës apo i kompromiseve politike”, thuhet më tej në reagim.