Në Bulqizë u përcollën sot deklarata në mbështetje të gazetarit Sami Curri, pas djegies së automjetit të tij më 26 prill në rrethana ende të paqarta.

Përfaqësues të organizatave të medias dhe kolegë gazetarë e cilësuan ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë në terren dhe një vijë të kuqe të kaluar ndaj lirisë së shprehjes. Në deklaratat e tyre, ata kërkuan hetim të plotë dhe të shpejtë nga autoritetet, duke theksuar se akte të tilla nuk duhet të mbeten pa ndëshkim.

SCiDEV (Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim), në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, Policia e Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, së bashku me Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH, BIRN Albania dhe Amfora.al, diskutuan për rëndësinë e rastit dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Diskutimet evidentuan nevojën për një trajtim të koordinuar dhe përdorimin e mekanizmave ekzistues në rastet që përfshijnë gazetarë.

Gazetari Curri është autor i disa shkrimeve investigative në zonën e Dibrës, teksa administron edhe një portal lokal. Puna e tij përqendrohet te ngjarjet rreth prokurimeve publike, monitorimit të punës së pushtetit vendor dhe drejtësisë në qarkun Dibër.