Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka marrë pjesë ditën e djeshme në eventin ndërkombëtar sportiv "Duel në Themel", të organizuar nga vëllezërit Keta dhe Bashkia Rrogozhinë në një atmosferë fantastike në Kalanë e Bashtovës. Përmes një postimi në 'Facebook', Kushi uron Ferit Ketën për fitoren shkruan teksa thekson se ai është një shembull frymëzimi për talentet e reja shqiptare.
"Dje iu bashkova me shumë kënaqësi eventit të madh ndërkombëtar sportiv "Duel në Themel", të organizuar nga Vëllezërit Keta dhe Bashkia Rrogozhinë, në një atmosferë fantastike në Kalanë Shekullore të Bashtovës. Sporti bashkon popujt, njerëzit, nxit paqen, solidaritetin, por ndërkohë ka edhe fuqinë të ngrejë lart emrin dhe flamurin e një kombi. Krenare për Ferit Keta i cili fitoi gjerdanin e artë botëror në IKBF daj holandezit Blokland, duke frymëzuar talentet e reja shqiptare e duke provuar se me vullnet, sakrifica, e sidomos duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore, mund të ngjitesh lart në majat e suksesit", shkruan Kushi.
Sportisti Ferit Keta është shpallur ditën e djeshme kampion bote në kikboks. Në kalanë e Bashtovës, Rrogozhinë u zhvillua dueli ku sportisti shqiptar përballë kishte holandezin Guillermo Blokland. Keta mundi të fitojë gjerdanin e artë botëror në IKBF, në peshën “cruiser”, pasi mposhti në raundin e 3-të me rrëzim në tapet holandezin Blokland, duke regjistruar suksesin e 15-të radhazi në ring e duke qëndruar i pamposhtur.