‘I frymëzuar nga propaganda armiqësore e Radio Moskës, Kaso Hoxha hedh një letër anonime fshatin Markat’/ Procesi hetimor në Sarandë ‘73

‘I frymëzuar nga propaganda armiqësore e Radio Moskës, Kaso Hoxha hedh një letër anonime fshatin Markat’/ Procesi hetimor në Sarandë ‘73

Kasëm Hoxha

Pjesa e gjashtë

Publikohet  një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj.

Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij.

Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi.

Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Kaso Hoxhës, nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Halit Kardhashi, në prezencën e prokurorit të rrethit

                                        Proces – Verbal

                               Në Sarandë, më 14/VIII/1973

Unë hetuesi Degës Punëve të Brendshme, Halit Kardhashi mora në pyetje të pandehurin Kasem Çerçiz Hoxha.

Pyetje: Na shpjegoni dhe një herë gjithçka rreth akuzës që ju bëhet?

Përgjigje: Siç kam shpjeguar edhe më parë, i shtyrë nga disa pakënaqësi të ndryshme, kam filluar të kem urrejtje për këtë pushtet përpara se të shkojë ushtar. Unë hyra në rrugën e armiqësisë me pushtetin në këto rrethana. Në vitin 1968, jam martuar me vajzën e Tare Bejkos. Në këtë kohë, vjehërri tim i bën fletë-rrufe Nafiz Agakos, sepse kishte hedhur mina për të bërë një stere uji, para shtëpisë së tij.

Nazif Agakua, në vend që t’i kthente përgjigje fletë-rrufesë, i bën fletë-rrufe vjehrrit tim dhe midis të tjerash i thoshte se: ti ke martuar vajzën te njerëz që janë armiq të pushtetit popullor, duke përmendur këtu emrin e babait tim, Çerçiz Hoxha. Prej kësaj kohe, unë kuptova që mua më shikonin me sy të keq dhe filloji të rritet dhe armiqësia e ime për pushtetin.

Gjithashtu, duke marrë shkas nga kjo fletë-rrufe, një kushëriri tim i pare, Selfo Hoxha, që është arratisur në vitin 1969, filloi të më shtojë pakënaqësitë mua, duke më thënë: mirë unë që kam qenë në burg, por pushtetit edhe juve nuk ju shikon me sy të mirë, më thonte se, neve na luftojnë si familje, se kështu nuk jetohet etj. Kështu që gradualisht armiqësia dhe pakënaqësia për pushtetin po rritej.

Në ushtri më kujtohet që edhe pse nuk isha në mbledhje, më propozuan për sekretar rinie, por siç më tha një shoku tim nga Grava, Thoma Miçoni, një fshatari tim, Guxim Dine, qe ngritur dhe më kishte bërë biografinë mua, duke thënë se ka njerëz të arratisur, si rezultat i kësaj, mua më hoqën nga lista.

Në ushtri, Thoma Miçoni më pyeti mua cilët ishin këta kushërinjtë të arratisur, këtij midis të tjerash, i kam thënë se, u arratis një kushëriri parë timi, Selfo Hoxha, i kam treguar për përpjekjet këmbëngulëse, për të zbuluar vendet e kalueshme që ka bërë Selfo Hoxha.

Sa herë që vinin dhe punonin në vijën e kufirit dhe nuk më kujtohet të kem lavdëruar gjestin e arratisjes së tyre, ashtu si më tha në ballafaqim Thomai, por vetëm i kam treguar këtij për vëzhgimet që bënte Selfua, kur shkonte për të punuar në kufi. Pas lirimit nga ushtria, jam kthyer në fshat dhe fillova të punoj si anëtarë Kooperative.

Në shkurt të vitit 1972, kam blerë një radio. Duke kërkuar stacione të ndryshme, kam ndeshur në stacionin e Radio-Moskës në gjuhën shqipe dhe i kam dëgjuar rregullisht këto. Nga dëgjimi sistematik i Radio-Moskës dhe nga pakënaqësitë e vuajtjeve që kisha unë, u binda akoma më shumë që rruga që ndjek partia jonë, është e gabuar, prandaj dhe e urreja këtë.

Gjithashtu kam dëgjuar edhe stacione të tjera, si Prishtina, ‘Zëri i Amerikës’, etj. Si konkluzion i këtyre, unë u futa tërësisht në rrugë armiqësore me pushtetin popullor dhe mendova se erdhi koha për të bërë diçka.

I nisur nga ky mendim, në maj ose qershor të vitit 1972, unë hedh një letër në Markat, me përmbajtje armiqësore, duke menduar gjithnjë se letra do të gjendet, do të merret vesh përmbajtja e saj dhe do të bëja përshtypje në fshat, duke treguar se ka edhe njerëz që e urrejnë këtë pushtet dhe shpresat e tyre nuk janë shuar.

Përmbajtjen e letrës, saktësisht tani nuk e mbaj mënd, por më kujtohet se përfundonte me fjalët: “Poshtë Partia e Punës së Shqipërisë, me Enver Hoxhën në krye”. Letra ishte e formatit të vogël, e grisur nga një bllok xhepi.

Pyetje: I pandehur, është kjo letra me përmbajtje armiqësore që keni hedhur ju në Markat, (të pandehurit i tregohet një letër blloku të vogël xhepi, tre anët e prera në rregull, kurse nga njëra anë, ka një grisje të çrregullt. Letra fillon me fjalët: “Vite të rinj, por ditët janë të zeza”. Dhe përfundon me fjalët: “Poshtë Partia me Enver Hoxhën në krye”. Në anën tjetër të letrës, brenda një vizatimi në formë vezake, është shkruar: “Lavdi grupit tonë me në krye shokët T. Sejko, T. Demi”).

Përgjigje: Po, letra që kam hedhur unë në katundin Markat me përmbajtje armiqësore, që fillon me fjalët “Vite të rinj, por ditët janë të zeza”. Dhe përfundon me fjalët: “Poshtë Partia me Enver Hoxhën në krye”, të cilën po ma tregoni tani, është tamam ajo që kam hedhur unë në fshat. Shkrimi është i imi, është shkruar me laps plumbi.

Pyetje: Në faqen e prapme të kësaj letre, është një vizatim vezak ku shkruan: “Lavdi grupit tonë me në krye shokët T. Sejko, T. Demi”. Jepni shpjegime se ç’do të thotë kjo?

Përgjigje: Unë mbrapa letrës së bllokut, brenda një kurore me lule të vizatuara, kam shkruar: “Lavdi grupit tonë me në krye shokët T. Sejko, T. Demi”, me qëllim që të tregoja, se edhe pse janë vrarë, ne kemi respekt për ta. Doja t’u tregoja popullit gjithashtu, se nuk rrojnë më Teme Sejkua dhe Tahir Demi, grupi i tyre ekziston, me qëllim kjo që siç thashë edhe më parë, të bënte efekt në popull.

Pyetje: I pandehur, a është blloku juaj ky që po ju tregojmë (të pandehurit i tregohet një bllok i vogël shënimesh xhepi, bojë vjollcë, me zhargavina në fillim dhe në fund)?

Përgjigje: Po, blloku që më tregohet, i vjetër, është i imi  dhe me sa më kujtohet, më ka humbur.

Pyetje: Në një prej fletëve të bllokut, e cila është e palosur dhe pikërisht në fletën e fundit që është shkruar, ndodhet ky shënim: “Shenjat, mua më treguan. Ç’bëj që rri akoma”. Është gjë shkrimi juaj ky?

Përgjigje: Po, ky është shkrimi im.

Pyetje: Çkeni dashur të thoni me këtë shënim?

Përgjigje: Unë këtë fjalë e kam shkruar në momentin kur më është mbushur mëndja top se, letra kishte rënë në duart e organeve të Sigurimit, prandaj këtë shqetësim shpreh dhe ajo.

Pyetje: A keni ndonjë gjë tjetër për të thënë rreth akuzës?

Përgjigje: Unë nuk kam gjë tjetër për të thënë rreth akuzës, shpjegimet që dhashë sot, janë të vërteta. Më falni se në fillim kur jam marrë në pyetje në hetuesi, nuk kam treguar shkakun e vërtetë, sepse unë e kisha përpiluar këtë letër dhe e hodha në fshat. E vërteta është se letrën e kam hedhur në fshat, nisur nga armiqësia që kam për Pushtetin Popullor, t’ju tregoj të tjerëve që ka edhe kundërshtarë të këtij pushteti, dhe ne kundërshtarët e tij, nuk i kemi humbur shpresat.

Pyetje: A keni gjë për të thënë rreth procesit hetimor, keni ndonjë provë për të kërkuar që mendoni ju që është në favorin tuaj?

Përgjigjej: Unë nuk kam asgjë për të kërkuar, të zgjerohet hetimi, nuk kam asnjë vërejtje rreth hetimit, thëniet e mija janë shkruar gjithnjë drejtë dhe unë e di se jam fajtor ndaj këtij pushteti.

Procesin, pasi e lexova dhe e pashë se janë shkruar drejtë thëniet e mija, e nënshkruaj.

I pandehuri                                                                       Hetuesi

Kaso Hoxha                                                               Halit Kardhashi

                                     Prokurori i rrethit

                                         Abaz Brati

Dokumenti i përpiluar nga hetuesi Halit Kardhashi dhe i aprovuar nga prokurori i rrethit të Sarandës, Abaz Brati, me vendimin për ngritjen e akt-akuzës ndaj Kasëm Hoxhës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA PUNËVE TË BRENDSHME                                             APROVOHET

DEGA PUNËVE TË BRENDSHME                                               PROKURORI RRETHIT

Nr.43                                                                                                  (ABAZ BRATI)

                                                      AKT – AKUZË

Kundër të pandehurit Kasem Çerçiz Hoxha, i akuzuar se ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, që parashikohet si krim nga neni 73/1 K.P.

Në datën 21 Maj 1973, Organet e Sigurimit të Degës së P. Brendshme Sarandë, njoftohen se në 20 Maj 1972, në qendër të katundit Markat, u gjet një letër anonime me përmbajtje të thellë armiqësore. Nga masat e mara për zbulimin e autorit të kësaj letre dhe veçanërisht nga akti i ekspertimit, u provua se autori i saj ishte Kasem Çerçiz Hoxha, po nga katundi Markat. Mbi këtë bazë në datën 14 Qershor 1973, filloi çështja penale kundër personit të lart përmendur në gjendje arresti.

Nga zhvillimi i hetimeve, rezultoi se: I pandehuri Kasem Çerçiz Hoxha, duke filluar nga viti 1968, herë pas here ka shfaqur pakënaqësi të ndryshme karshi pushtetit popullor dhe me kalimin e kohës, veçanërisht gjatë vitit 1969, si rezultat i disa bisedave me karakter armiqësor që zhvillonte me kushëririn e tij Selfo Hoxha, i cili në Gusht të vitit 1969, u arratis për në Greqi, Kasemi u vu plotësisht në pozita armiqësore me Partinë dhe Pushtetin Popullor në vendin tonë.

I pandehuri Kasem Hoxha, në fund të vitit 1969, thirret nën armë për të kryer shërbimin ushtarak. Edhe atje, në biseda të zhvilluara me dëshmitarin Thoma Miçoni, ka lavdëruar aktin e tradhtisë ndaj atdheut të kryer nga kushëriri i parë i tij Selfo Hoxha dhe bashkëfshatarët e tjerë, Bilal Xhaferi dhe Bajram Shuaipi, duke i thënë shprehimisht se ata bënë mirë që u arratisën, se Selfua mori me vete edhe kunatin e tij, Bilal Xhaferin, qe ky i fundit megjithëse ishte shkrimtar shumë i mirë, veprat e tij pa drejtësisht ja hidhnin poshtë.

Mbas lirimit të tij nga ushtria dhe ardhjes në fshatin Markat, i pandehuri Kasem Hoxha, e shton edhe më tepër veprimtarinë armiqësore kundër pushtetit popullor, në formën e agjitacionit e propagandës. Duke qenë i predispozuar në rrugën armiqësore, veçanërisht pas muajit Shkurt 1972, kohë në të cilën i pandehuri blen një radio, bëhet dëgjues i rregullt i stacioneve të vendeve kapitalisto – revizioniste, sidomos i Radio Moskës, “Zërit Amerikës”, Radio Prishtinës, e tjerë, për emisionet që ato transmetonin në gjuhën shqipe.

I pandehuri Kasem Hoxha si armik i pushtetit popullor, i frymëzuar edhe nga propaganda armiqësore e këtyre radio stacioneve dhe veçanërisht e Radio Moskës, ndërmerr veprime më të avancuara në këtë aktivitet. Kështu, në datën 20 Maj 1972, mbasi shkruan në shtëpinë e tij një letër anonime me përmbajtje të thellë armiqësore, e hedh në qendër të fshatit Markat. Në këtë letër shkruan: “Vite të rinj, por ditët janë të zeza. Me këto pak fjalë të dashur shqiptarë, dua të përshkruaj vuajtjet tuaja të pa numërta. Me këtë titull mund të shkruash një roman të gjithë. Kështu ore vëllezër nuk durohet. Prandaj duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë që të fitojmë të drejtat tona. Besoj se më kuptoni. Poshtë Partia me Enver Hoxhën në Krye”.

Në anën tjetër të kësaj letre, brenda një pikture vezake, është shkruar: “Lavdi grupit tonë me në krye T. Sejkon e T. Demin”.

Nga vetë përmbajtja e letrës anonime dhe deponimet e bëra në hetuesi, i pandehuri Kasem Hoxha, nëpërmjet kësaj letre me përmbajtje të thellë armiqësore të hedhur në katundin Markat, kishte si qëllim që të ngjallte pasiguri në ekzistencën e pushtetit popullor në vendin tonë, të mbante e gjalla shpresat për një ndryshim të situatës në Shqipëri dhe okupimin e saj nga fuqitë perëndimore, t’u tregonte masave se; ka akoma njerëz që e urrejnë pushtetin popullor dhe shpresave tyre nuk janë shuar, se Teme Sejko dhe Tahir Demi, janë vrarë, vepra e tyre do të rrojë, se ka akoma njerëz që vazhdojnë atë, që nuk mundën dot të realizonin këta tradhtar të atdheut etj.

Me paraqitjen e akuzës në hetuesi, i pandehuri pranoi se ka zhvilluar veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës, se kishte shkruar letrën me përmbajtje armiqësore, por fillimisht në shpjegimet e tij u mundua ta paraqiste se gjoja e shkroi këtë letër me përmbajtje armiqësore, për të provuar qëndrimin që do të mbanin personat që do ta gjenin, ndërsa më vonë, i pandehuri pranoi se letra anonime e ka hedhur, duke u nisur nga qëllime armiqësore për të cilat përshkruan në letër.

Fajësia e të pandehurit provohet për veç deponimeve të tij të bërë në hetuesi, por dhe nga akt-ekspertimi Nr.14 datë 8.9.1972, thëniet e dëshmitarit Thoma Miçoni, si dhe letra origjinale me përmbajtje armiqësore, e gjetur në katundin Marakat.

Vepra e kryer nga i pandehuri paraqet rrezikshmëri sepse, drejtohet kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, Sigurimit të Jashtëm dhe fuqisë mbrojtëse të saj. Rrezikshmëri paraqet dhe vetë i pandehuri, mbasi në hetuesi u mundua të justifikonte shkaqet e vërteta të përpilimit dhe hedhjes së letrës me përmbajtje armiqësore.

Në këto rrethana, ju paraqesim për gjykim të pandehurin Kasem Hoxha, i biri i Çerçizit dhe Kanes, i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në katundin Markat, me arsim (8 vjeçar, profesion bujk, i martuar me fëmijë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i pa dënuar ndonjë herë, i cili Akuzohet:

Se ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, që parashikohet si krim nga neni 73/1 Kodit Penal.

Kjo akt-akuzë u përpilua nga unë Hetuesi Halit Kardhashi.

                     Hetuesi

                    Halit Kardhashi

Akt akuza mu dorëzua sot me datën_______ 1973. Memorie.al

                   I pandehuri

                  Kasem Hoxha

                                          Vijon numrin e ardhshëm

S.C/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët