Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi pak ditë më parë ndërprerjen e kontratës me shoqërinë “OverSport” që kishte fituar të drejtat e transmetimit televiziv të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë për sezonet 2022-25. FSHF tregon se vendimi ka ardhur pas shkeljeve dhe mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore në mënyrë të përsëritur nga shoqëria “OverSport”.
Në një tjetër reagim, FSHF thotë se prej janarit të këtij viti kompania nuk ka paguar shumat që janë dakordësuar në kontratë, si edhe cënimin e moralit publik sei pasojë e qëndrimit gazetaresk.
"Prej muajit janar 2023 shoqëria “Over Sport” nuk ka paguar shumat e parashikuara në kontratë sipas afateve përkatëse. Kjo shoqëri nuk ka dhënë kurrë të gjitha garancitë për të cilat ishte angazhuar në kontratë. Prodhimi dhe transmetimi televiziv i garave kombëtare ka qenë jashtë çdo standardi teknik e sidomos ka ndikuar drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit VAR. Po ashtu qëndrimi editorial dhe kontributet gazetareske kanë qenë jashtë kërkesave të kontratës e në shume raste edhe në cenim të moralit publik apo te sensibiliteteve të grupeve të ndryshme shoqërore", thotë FSHF.
Në reagimin e Federatës tregohet edhe koha e dhënë për shlyerjen e detyrimeve kompanisë Oversport.
"Për të gjitha këto raste “Over Sport” është njoftuar dhe paralajmëruar shumë herë e së fundmi në muajin maj 2023, kur i është dhënë afat për të përmbushur detyrimet deri më datën 31.05.2023, me pasojë zgjidhjen e kontratës. E madje edhe më datën 02.06.2023 është mbajtur një takim ku shoqëria është paralajmëruar për zgjidhjen e kontratës e ku sërish ka marrë përsipër të shlyejë detyrimet, këtë herë brenda datës 21.06.2023", thotë instituconi i futbollit.
Më pas FSHF tregon se vendosi të ndërpresë marrëveshjen.
"Përtej kësaj date FSHF nuk mund të vinte në rrezik transmetimin televiziv të ndeshjeve për sezonin 2023-2024 dhe për këtë shkak u vendos zgjidhja e kontratës. Në këto kushte, ajo që në fakt “Over Sport” e cilëson si “të papritur” mendojmë se është vetëm një justifikim ndaj konsumatorëve ndaj të cilëve kjo shoqëri ka marrë përsipër angazhime që nuk mund t’i mbajë, ashtu siç ka bërë me FSHF-në", thotë FSHF-ja.
Në lidhje me këtë vendim, kompania "Oversport" ka reaguar duke thënë se vendimi ka ardhur si pasojë e presioneve dhe mungesës së transparencës nga FSHF-ja.
"Oversport krejt paparitur është përballur sot me lajmin e publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në kanalat e saj zyrtare të komunikimit, për ndërprerjen e kontratës mes palëve, kontratë e cila ishte në fazë negociatash. Oversport shpreh shqetësimin se vendimi i marrë nga FSHF është rezultat i mungesës së transparencës në aktivitetet e saj, me presione që nuk janë në përputhje me parimet etike që një institucion i këtij niveli duhet të ndjekë", njofton Oversport.