Ish-Kryeministri Berisha shumë shpejt pritet të thirret nga SPAK për të dhënë llogari për 21 janarin 2011 pasi tashmë është i kallëzuar zyrtarisht për vrasje. I pyetur sot në lidhje me këtë kallëzim, Berisha preferoi t’i quajë ‘budallallëqe të Ulsiut’ kallëzimin dhe akuzoi Ramën si përgjegjësin kryesor të asaj ngjarjeje.

 “Të mos merrem unë me budallallëqet e Ulsit, ai sillet si truprojë e Edi Ramës. A ia vlen ta komentojmë atë? Njeriu direkt përgjegjës, organizator kryesor është një dhe vetëm një Edi Rama. Kurrë nuk do t’i ndahet kjo akuzë”, tha Berisha.

Sali Berisha, në cilësinë e ish-kryeministrit,  Lulzim Basha ish ministër i Brendshëm, dhe Ndrea Prendi ish komandat i Gardës, janë zyrtarisht të kallëzuar në SPAK për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" dhe "shpërdorim detyre" për 21 janar.

Mazhoranca dorëzoi dje në SPAK një kallëzim me prova të reja për vrasjet e 21 janarit. Kallëzimi u dorëzua nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili ka përsëritur edhe një herë sot thirrjen në drejtim të Prokurorisë së Posaçme për të marrë urgjentisht nën administrim një audio të pretenduar që është publikuar në media dhe që thuhet se pasqyron komunikimin e ‘grupit të zjarrit’ në Gardën e Republikës pak para se të bëheshin vrasjet e 21 janarit 2011. Manja apeloi nga dikasteri që drejton, edhe pse tha se qeveria nuk i hyn diskutimit nëse kjo audio e pretenduar është autentike apo jo.