7 vite pasi u emërua për herë të parë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i foli për herë të fundit stafit të dikasterit që drejtoi tashmë si e shkarkuar. E larguar me vendim të kryeministrit për shkak të përballjes me SPAK, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, Balluku i shikon 7 vitet e saj në qeveri si historike.
"Puna që kemi bërë është historike. Fjalët i merr era, punët do na mbeten aty", tha Balluku.
Në prezantimin e pasardhësit si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku i mohoi të gjitha akuzat e Prokurorisë së Posaçme ndaj saj.
“Unë nuk kam dhe skam pasur kurrë lidhje me korrupsion dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh dhe që nuk e kam penguar kurrë, të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Nuk kam a 300 as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam as 1 as 2 jahte, as limuzina as helikopterë e avionë. As nuk ke kam penguar drejtësinë dhe nuk do e bëj sepse se e besoj dhe e kam mbështetur", u shpreh Balluku.
Thotë se është e keqardhur për peshën që i ka dhënë këto kohë qeverisë, teksa falënderon Ramën, ndërsa vetë thotë se është mësuar me gjyqe publike.
“Unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizin ma mban më mirë se kudo tjetër gjyqin publik se jam kalitur që e vogël...Ka qenë e lehtë për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e ekipit të tij në fillimet e vitit 2000 që të ndjekim shembullin e tij sesi frymëzohen njerëzit që punojnë me atë. Jam munduar të ndjek shembullin e tij”, tha Balluku.
Dekreti i Presidenti për shkarkimin e Belinda Balluku u votua nga 85 deputetë seancën e së enjtes. Kryeministri kishte firmosur largimin e saj nga qeveria, si zv, Kryeministre dhe ministre, ndërsa ende nuk i ka dhënë një përgjigje kërkesës së SPAK për arrestimin e saj. SPAK ka depozituar në Kuvend prova se zv. Kryeministrja ka kërcënuar dëshmitarët e dosjes së saj, teksa është dyshuar për 11 tendera dhe rrezikon dënim maksimal me 35 vite burg. Vendimi nëse Prokurorisë do t’i jepet autorizimi apo jo për arrestin me burg të Ballukut pritet më 12 mars.
Komente










Per popullin ste vjen keq qe e vodhe te vjen per qeverin
PërgjigjuPo duhet te na vij keq per belindin qe vjedh ne opozite