Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi, lejimin e ekstradimit të Princ Dobroshit në Gjermani, i cili është në kërkim për trafik kokainë.
Gjykata e Shkallës së Parë më 14 shkurt 2024 kishte lënë në fuqi vendimin për ekstradimin e Princ Dobroshit, në Gjermani, pasi gjykata e Hamburgut ka nxjerrë urdhër-arresti, sepse dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal.
Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë. Më 29 mars, SPAK, sekuestroi pasuritë e Princ Dobroshit dhe kunatit të tij Olsi Syziu,, të hetuar dhe të dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Princ Dobroshi njihet ndryshe me nofkën 'Peshkaqeni'. SPAK ka sekuestroi 10 llogari bankare me vlerë 133 mijë euro, Vilë në Gjirin e Lalzit, dy apartamente te Kodra e Diellit, një apartament te Liqeni i Thatë, makinë Volvo, dhe shoqërinë tregtare ‘SLAI’.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Apelit
'Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasit kosovar me iniciale P. D, nga ku rezulton se Gjykata Themelore Hamburg, Gjermani, me vendimin nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023, ka nxjerrë urdhër arresti për shtetasin kosovar P.D , pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal, sipas Kodit Penal të Republikës së Gjermanisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 334 Regj.Them, datë 14.02.2024, ka vendosur:
-Të lejojë ekstradimin e shtetasit kosovar P. D nga Republika e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë , për efekt të ekzekutimit te vendimit penal nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023 , të Gjykatës Themelore Hamburg, Gjermani.
-Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga shtetasi me iniciale P. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, refuzimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 334 Regj. Them, datë 14.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.'- njofton gjykata e Apelit.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)