Humbja e djeshme 0-1 e Shqipërisë në miqësoren ndaj Luksemburgut në stadiumin 'Air Albania' ka thelluar krizën e rezultateve për kuqezinjtë, të cilët regjistruan disfatën e pestë radhazi dhe të dytën nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran. Heroi i miqve ishte Danel Sinani, futbollisti që shënoi golin e vetëm të takimit dhe që mbart një histori të veçantë identiteti dhe origjine.
Emri i tij tingëllon familjar për publikun shqiptar. Prindërit e Sinanit janë me origjinë nga zona e Dragashit në Kosovë, ndërsa vetë futbollisti ka lindur në Beograd më 5 prill 1997. Megjithatë, ai u rrit në Luksemburg që nga mosha pesë vjeçare, vend ku u formua si futbollist dhe ku ndërtoi të gjithë karrierën e tij sportive.
Pavarësisht rrënjëve familjare nga Kosova, Sinani ka zgjedhur të përfaqësojë Luksemburgun në arenën ndërkombëtare. Futbollisti është identifikuar vazhdimisht si pjesëtar i komunitetit goran dhe nuk ka pasur asnjë lidhje sportive me përfaqësueset e Shqipërisë apo Kosovës.
Në nivel klubesh, 29-vjeçari ka zhvilluar një karrierë të rëndësishme në futbollin evropian. Pas paraqitjeve të spikatura me F91 Dudelange, ai u transferua te Norwich, ndërsa më pas luajti edhe për Huddersfield dhe Wigan. Tre sezonet e fundit i kaloi në Gjermani me FC St. Paulin, ku gjatë edicionit 2025/26 shënoi pesë gola në Bundesligë.
Aktualisht, Sinani është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me klubin gjerman, ndërsa goli i realizuar në Tiranë mund të shërbejë si një argument i fortë për aventurën e tij të ardhshme.
Ironikisht, ishte pikërisht futbollisti me rrënjë nga Sharri i Kosovës ai që në minutën e tetë të sfidës vulosi fitoren e Luksemburgut në zemër të Tiranës, duke i dhënë skuadrës së tij një sukses historik dhe duke lënë Shqipërinë me shumë pikëpyetje për të ardhmen.
Komente








