FT/ Shqipëri 0-1 Luksemburg (Danel Sinani 8')
TIRANË - Dy humbje në tre ditë për kombëtaren shqiptare të futbollit me trajnerin e ri Rolando Maran në stol. Pas disfatës 0-1 nga Izraeli po në Tiranë, edhe këtë të shtunë kuqezinjtë u mposhtën po në 'Air Albania', këtë herë nga modestët e Luksemburgut (vendi 98 në FIFA) me rezultatin minimal 0-1. Fatet e takimit i vendosi një gol i Danel Sinanit pas tetë minutave lojë.
Ndeshja nisi më mirë për miqtë, të cilët u imponuan për 15 minutat e para në të cilat gjetën edhe golin e fitores. Aiman Dardari bëri çfarë deshi dhe kaloi dy mbrojtësit tanë, ndërsa pasoi për Sinanin i cili nuk e pati të vështirë të shënonte.
Kuqezinjtë u dukën pa ide, ndërsa provuan disa herë për të goditur portën, por pa rezultat. Forma e mirë e Alen Sherrit në portë bëri që humbja mos ishte më e thellë për tanët. Përballja e sotme ishte e teta mes dy skuadrave. Në katër raste ka fituar Shqipëria, tre ndeshje kanë folur për Luksemburgun dhe në një rast sfida është mbyllur në barazim. Dhjetë gola ka shënuar Shqipëria në portën e rivalëve, kundrejt pesë të pësuarve.
Shqipëria në pesë ndeshjet e fundit ka pesë humbje, duke bërë që situata në kampin e Kombëtares të jetë alarmante, paçka se trajneri Maran ka vetëm dy ndeshje në stol. Sfida kundër Luksemburgut ishte e 100-ta për Elseid Hysaj, me mbrojtësin e Kombëtares që bëhet lojtari i parë që ka arritur këtë shifër.
Në shkallët e 'Air Albanias' tifozët ishin shumë të pakët në numër. Ky duel u gjykua nga një treshe arbitrash nga Kosova, me kryesor Genc Nuzën dhe ndihmës Fatlum Berishën dhe Bujar Selimajn. Arbitër i katërt ishte Eldorjan Hamiti. Kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit për lojtarët e Kombëtares dhe tani kuqezinjtë do të marrin pushimet.
Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+5' Mbyllet 0-1 ndeshja në 'Air Albania', Shqipëria humbet nga modestët e Luksemburgut.
90' Pesë minuta shtesë për të shmangur turpin.
87' Adrion Pajaziti provon nga jashtë zone, ndal portieri mik.
86' Alen Sherri na mban ende në lojë, ndal gjuajtjen nga jashtë zonë të rivalëve.
70' Goditje këndi për Shqipërinë. Seferi gjuan topin me kokë. Pret portieri i Luksemburgut.
64' Juljan Shehu tenton nga jashtë zone, sfera përfundon jashtë porte.
63' Dalin Hoxha dhe Asllani, në fushë Broja dhe Pajaziti.
62' Sinani godet nga hyrja e zonës, Sherri bën një pritje shpëtimtare.
57' Kristjan Asllani kërkon befasinë nga 50 metra largësi, goditja shkon pak mbi traun e portës.
52' Carlson rrezikon për miqtë, topi nuk devijohet si duhet për fatin e tanëve.
51' Ajeti jep asist për Uzunin, ky i fundit godet direkt, por topi godet rrjetën e jashtme. Uzuni ishte në pozicion jashtë loje.
46' Maran e nis pjesën e dytë me katër zëvendësime. Dalin Bajrami, Laçi, Pllana dhe Ramadani. Në fushë Seferi, Shpendi, Ajeti dhe Shehu.
45+2' Mbyllet 0-1 pjesa e parë në 'Air Albania'.
45' Dy minuta shtesë.
35' Tensione në fushë. Korac përplaset me Laçin, të dy lojtarët ndëshkohen me kartona të verdhë.
33' Luksemburgu tregohet i fortë në mbrojtje. Miqtë mbajnë topin 57 përqind, kundrejt 43 përqind të tanëve.
19 - Asllani provon nga jashtë zone me të majtën, ndalet nga portieri Pereira.
8' GOOL! Darderi bën çfarë do duke kaluar mbrojtjen e Shqipërisë dhe pason për Danel Sinanin, me këtë të fundit që ndëshkon ekipin tonë.
5' Duarte merr karton të verdhë.
4' Shqipëria tregohet e rrezikshme që në minutat e para të sfidës. Laçi gjuan nga larg në portën kundërshtare, sfera kalon pranë portës.
1' Nis ndeshja me topin e parë të shkelmuar nga miqtë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Sherri; Hysaj (C), Gjimshiti, Pllana, Mitaj; Ramadani, Asllani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Rolando Maran
Luksemburgu (4-4-2): Pereira; Michael Pinto, Carlson, Korac, Jans; Dardari, Moreira, Martins, V. Thill; Sinani, Duarte Trajner: Jeff Strasser
Trajneri Rolando Maran e nisi me dy humbje aventurën e tij në stolin e kombëtares shqiptare të futbollit. Tre ditë më parë kuqezinjtë u mposhtën 0-1 nga Izraeli në Tiranë, ndërsa sot ishte Luksemburgu që fitoi po 0-1 në miqësoren e dytë dhe të fundit të qershorit.
Italiani foli pas ndeshjes për Supersport duke thënë se këto dy sfida i kanë shërbyer për të njohur lojtarët. Ai kërkoi reflektim në fushë.
“Si ndiheni? Impenjimi ka qenë i madh, por nuk është rezultati që donim, nuk kemi bërë mjaftueshëm mirë. Këto dy ndeshje vlejnë për ta njohur skuadrën më mirë dhe për të përmirësuar këto gjëra.
Duhet të jemi të zotë, për të parë se çfarë gjërash nuk janë bërë mirë në këto dy ndeshje. Edhe nga pësimi i golit shumë herët, u çekuilibruam. Dhe dëshira për të gjetur golin, na bëri të linim hapësira. Janë disa gjëra që kanë ndodhur në këto dy ndeshjet, që nuk duhet të ndodhin dhe t’i përmirësojmë. Janë elementë që unë i kam piketuar nga këto dy ndeshje.
Skema, e përshtatshme për lojtarët që kemi? Hierarki lojtarësh? Në hierarkinë e lojtarëve, ka lojtarë që unë po i njoh. Disa lojtarë kanë ardhur me pak minuta, ka qenë sezon i gjatë, e kemi paguar pak me gjendjen fizike të tyren. Më ka shërbyer për të njohur lojtarët dhe reflektuar mbi ta. Pyetja e parë, është e vërtetë për mbrojtjen, pasi provon disa gjëra dhe vuan për shkak të vështirësive. Janë gjëra që duhet të reflektojmë. Janë dy teste të rëndësishme që më shërbejnë shumë për vazhdimin.
180 minuta pa gol, ide e qartë për sulmin për të zgjidhur këtë problem? Këto dy humbje peshojnë shumë, sidomos para tifozëve. Prisja përmirësime nga ndeshja e parë, por nuk ka ndodhur. Duhet marrë parasysh edhe ana psikologjike, me lojtarët që janë ende të zhgënjyer për mos kualifikimin në Botëror. Por jam i keqardhur për rezultatin.
2-3 pika pozitive nga këto dy ndeshje? Përgjegjshmëria e lojtarëve është një, padyshim. Jam munduar të përfitoj nga këto ndeshje, ndoshta edhe duke rrezikuar, për të parë disa prej lojtarëve, për t’i njohur më shumë. Kjo për të mos rrezikuar në ndeshjen deçizive. Lojtarët kanë qenë të gatshëm dhe të motivuar të gjithë, do të punojmë në vazhdim”, tha Maran për Supersport.
Taulant Seferi u rikthye në Kombëtare pas një viti e gjysmë. Sulmuesi anësor foli për Supersport pas humbjes 0-1 në miqësore kundër Luksemburgut.
“Nga aspekti personal? Padyshim që jam ndjerë shumë i lumtur kur mora ftesën, por i mërzitur që i humbëm këto ndeshje.
Ndryshimi mes Maran dhe Sylvinhos? Po, ndryshimi është se trajneri do më shumë të luajë me topin, do shumë kohë që ta ushtrojmë dhe kemi pasur mangësi. Por me kalimin e kohës do ta përmirësojmë.
Mbrojtës i djathtë? E vërtetë, edhe në fillim të javës e kam bërë në stërvitje. Nëse trajneri më sheh në këtë pozicion, jam i gatshëm për të qenë edhe aty.
Ku mund të luash më mirë? Kam shumë dëshirë të provoj thellësinë. Edhe aty ku po luaj te klubi im, jam ndjerë shumë mirë", tha Seferi.
Elseid Hysaj foli pas ndeshjes së 100 me fanellën e Kombëtares, të cilën e luajti me shiritin e kapitenit. Shqipëria u mposht 0-1 nga Luksemburgu në miqësore, me Hysajn që tregoi se i vjen keq.
“Do të kisha dashur që ndeshjen e 100-të ta festoja ndryshe. Jam pak i lumtur dhe pak i trishtuar, është një ndeshje që mund ta fitonim. Më vjen keq. Të shohim përpara. Nëse mendojmë për mbrapa, mund të gabojmë, por të shohim para dhe të rregullojmë gjërat që kemi gabuar.
Çunat vijnë nga një kampionat i gjatë, që kanë luajtur gjithmonë, është i vështirë fundi i kampionatit. Duhet të jemi profesionistë, ta dimë që luajmë për një komb dhe të japim 100% tonë. Kur ka një ndërrim trajneri pas një kompeticioni të madh, sepse Shqipëria arriti në play off Botërori.
U kam thënë çunave që është moment i vështirë. Nëse ne ecim mbrapa, do të jetë e vështirë të shkojmë lart. Kam folur me çunat, e dinë që duhet të japim më shumë se ç’kemi dhënë sot. Unë kam besim shumë që do ta kuptojmë atë që do trajneri. Kishim pak kohë, pasi ishin dy ndeshje në tre ditë. Unë pres nga vetja dhe nga gjithë lojtarët që të japin maksimumin.
Nga fusha, Luksemburgu ka analizuar pikat tona të dobëta. Ne kishim 2-3 raste për të shënuar, por as me Izraelin s’e bëmë dot. Kështu është futbolli, nëse nuk jep 110% çdo kush mund të na mposhtë dhe të na bëjë dëm. Shpresoj që sulmuesit tonë të arrijnë të zhbllokohen, duhet ajo ndjesia e golit. Shpresoj ta rregullojmë këtë gjendje. Kërkoj të jap maksimumin, për djalin shpresoj të bëhet futbollist”, tha Hysaj për Supersport.
Përpara fillimit të miqësores Shqipëri - Luksemburg, pamjet nga tribunat e stadiumit 'Air Albania' flasin më shumë se çdo deklaratë. Mijëra vende bosh dhe vetëm pak tifozë në shkallët e stadiumit për një ndeshje të Kombëtares, një skenë që deri pak vite më parë do të dukej e paimagjinueshme.
Ndërkohë, tifozët Kuq e Zi nuk do të jenë në stadium, teksa janë pak metra larg impiantit në protestën që po zhvillohet në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' kundër resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
“Nuk mundemi të shkojmë në stadium kur ndeshja zhvillohet në shesh…. sot jemi në shesh…”, shkruante grupimi duke i bashkuar protestës në kryeqytet me pankarta edhe kundër zhvillimit të Evropianit të U21 në bashkëpunim me Serbinë.

Përpara ndeshjes Shqipëri - Luksemburg

Nga një ëndërr, në realitet. Elseid Hysaj do të zbresë sot në fushë për herë të 100 të fanellën e Kombëtares. Mbrojtësi nga Shkodra do të jetë edhe kapiten në këtë ndeshje jubile për të. Ai është futbollisti me më shumë paraqitje me skuadrën kuqezi. Hysaj debutoi me Shqipërinë më 6 shkurt 2013 në miqësoren e humbur 1-2 kundër Gjeorgjisë, duke luajtur 29 minuta. Ishte trajneri De Biasi ai që e ftoi në Kombëtare kur sapo kishte mbushur 19 vjeç.

Trajneri Rolando Maran ka bërë publik formacionin me të cilin kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet kundër Luksemburgut në miqësoren e sotme e cila do të fillojë në orën 20:00 në 'Air Albania'. Trajneri ka bërë një vendosje 4-3-3, por me Nedim Bajramin si sulmues të fshehur, ose si fantazist, për t'i lënë vend Uzunit dhe Hoxhës në krahët e sulmit, me dyshen që mund të jenë edhe sulmues tipik.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Sherri; Hysaj (C), Gjimshiti, Pllana, Mitaj; Ramadani, Asllani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Rolando Maran
Luksemburgu (4-4-2): Pereira; Michael Pinto, Carlson, Korac, Jans; Dardari, Moreira, Martins, V. Thill; Sinani, Duarte Trajner: Jeff Strasser
Sot në orën 20:00 në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë do të luhet sfida miqësore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Policia ka publikuar planin e detajuar të masave për këtë sfidë, duke treguar edhe rrugët që do të bllokohen.
Zbatimi i masave do të fillojë nga ora 17:00, ndërsa hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 18:00. Bie në sy se Bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' do të bllokohet nga hotel 'Rogner' në drejtim të sheshit 'Nënë Tereza', ndryshe nga ndeshja e tre ditëve më parë kundër Izraelit, kur Bulevardi ishte bllokuar që nga kryqëzimi i ish hotel 'Dajtit', diçka që solli një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Protestat vijojnë prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe jo vetëm, kundër ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit në Vlorë.
Njoftimi i policisë:
Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Luksemburgut, që do të zhvillohet më datë 06.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke filluar nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Ëillson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Hyrja në stadium fillon në orën 18:00.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish policie.
Komente









LARGOJENI SA ME SHPEJT KETE HAJVAN.....TRAJNER...
PërgjigjuNuk. ka. faj. Kombetarja fajin.e ka Duka qe merr. trajnere. funderrina
PërgjigjuLojtare pa gjak
Përgjigju