Në një kohë kur gjykata e Shkodrës, ka vendosur të lirojë të gjithë të pandehurit e dosjes “Bajri”, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit, nga ana tjetër prokuroria e këtij qyteti ka mbyllur hetimet duke dërguar në gjykatë dosjen penale me disa të pandehur.

Por ndryshe nga akuzat e rënda penale çfarë paraqiti policia gjatë promovimit të operacionit “Oaz” në shtator 2018, kjo dosje penale tashmë është katandisur në vepra shumë të lehta, si, “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Organizim i lojërave të fatit” dhe “Përcaktimi i rezultateve në garat sportive”.

Behar Bajri është marrë i pandehur për “Organizim i lojërave të fatit”. Ndërsa  Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali, Ismet Idrizi dhe Sirjan Alia, janë marrë të pandehur për akuzat e tjerë. Për sa i përket akuzës të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, prokuroria e Shkodrës vijon hetimet për Enver Bajrin, i cili vijon të qëndrojë jashtë territorit shqiptar. Në këtë çështje penale kanë qenë nën hetim dhe tre mjekë të spitalit Shkodër, si Senad Halluni, Florine Hoxha dhe Mira Nikaj, ku akuza ndaj tyre është pushuar.

Pushimi i akuzave për Behar Bajrin, është kryer edhe për sa i përket veprave penale si “Grupi i strukturuar kriminal” dhe vrasjes me dashje të shtetasit Arben Tuzi dhe Fabjola Hysenit. Të dyja këto vrasjes tashmë, janë pa autor dhe hetimi për to është pezulluar.