Pas ecejakeve nëpër prokurori, nga SPAK-u në Shkodër, Gjykata ka nxjerrë nga qelia Behar Bajrin duke ndërruar masën nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Akuzat e grupit të strukturuar kriminal ranë, dhe Bajri hetohet vetëm për shtrëngim të pasurisë.

SPAK fillimisht shpalli moskopetencën për dosjen e grupit 'Bajri' duke bërë që të bien akuzat për grup i strukturuar kriminal dhe çështja kaloi në gjykatën e Shkodrës. Para një muaji prokurori kërkoi pushimin për dy akuza të vrasjeve dhe gjykata e pranoi. Vepra e vetme penale që i mbeti është ajo e shtrëngimit të pasurisë për të cilën u kërkua një muaj shtyrje e afatit. Pas këtij afati që përfundoi gjykata vendosi që të ndryshoje masën e sigurisë.

Behar Brajoviç (Bajri) u arrestua në Roterdam në 2018, ndërsa u ekstradua nga Holanda në korrik të 2019-ës

Behar Bajri, u akuzua nga prokuroria për “Vrasjen me paramendim” në dëm të bashkëjetueses së tij Fabiola Hyseni. Kjo ngjarje ka ndodhur në 29 qershor 2002, kur 15-vjeçarja është raportuar si e vetëvrarë me tre plumba në shtëpinë e Bajrit. Behar Bajri, i arrestuari kryesor në atë kohë për këtë ngjarje dhe i dyshuari nga prokuroria si personi autor për këtë vrasje, ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka kryer këtë krim. Ndërkohë në dosje, prokuroria tha se me të njëjtën pistoletë tip “TT” që është qëlluar 15-vjeçaria Fabjola Hyseni në vitin 2002, është qëlluar në 7 shkurt 2001 Arben Tuzi, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën “Qemal Stafa” në Shkodër, ku ka mbetur i plagosur dhe Lulzim Molla.

Dosja e bujshme e Bajrave që nisi me operacionin "Oaz" në vitin 2018 tashmë është shfryrë, pasi të gjithë personat, të cilët u vunë në pranga janë liruar nga akuzat e vrasjes, kanosjes, gjobëvënies, basteve të paligjshme dhe shumë të tjera.