TIRANË - Një 23 vjeçar nga Pogradeci por banues në Tiranë rezulton të jetë dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij të mitur. I riu E. Sulollari i komunitetit Rom, është martuar me nje 12 vjeçare S.A edhe kjo e komunitetit Rom. Mirëpo nuk e ka menduar që kjo martesë do kthehej për të në një kalvar gjyqesh dhe izolimesh në qeli. Pasi kanë vendosur të martohen me pëlqimin e prindërve, dy të rinjtë kanë jetuar tek një shtëpi te ish-komunalja, rruga “Myslym Keta” të qytetit Tiranë. Pa kaluar shumë ditë nga kjo bashkëjetesë, 23-vjeçari është arrestuar nga policia në datën 15 shtator 2015, duke u akuzuar për "Kryerje e marrëdhënieve seksuale me të mitur".

Pas arrestimit policia ka marrë në pyetje në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime E.Sulollari, i cili nuk ka pranuar që të ketë kryer veprën penale për të cilën dyshohet e në shpjegimet e dhëna prej tij theksohet fakti se është martuar me të miturën S,A e se me të duhen. Edhe në gjykim i pandehuri ka ripërsëritur qëndrimin e tij, duke shtuar se pakica kulturore rome, të cilës ai i përket e ka zakon lidhjen e martesës me të mitura.

Mirëpo kjo dëshmi dhe fakti se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij, nuk e ka mbrojtur aspak 23-vjeçarin E. Sulollarin përpara gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur ta dënojë atë fillimisht me 7 vjet burg. Për shkak se gjykimi është kryer me procedurë të përshpejtuar, ky dënim është ulur duke bërë që i riu i pakicës rome të dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Dëshmia dhe ekspertiza
Fillimisht burri i arrestuar është lënë në masën e sigurisë dy javë në burg, deri në kryerjen e ekspertizës ligjore për gruan e tij. Mirëpo në 21 shtator 2015 është caktuar eksperti, por e dëmtuara nuk ka shkuar për vizitë në ambulancën e mjekësisë ligjore. Fill pas kësaj, gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest dy javor në “arrest me burg”. I pyetur në cilësinë e të pandehurit Sulollari e ka pranuar faktin dhe akuzën duke shpjeguar se me të dëmtuarën janë të martuar dhe kanë kryer marrëdhënie pas martese dhe jo pa dëshirën e saj.

Në këto kushte, OPGJ kanë marrë vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të shtetases S.A. për të përcaktuar nëse kjo shtetase kishte kryer marrëdhënie seksuale; kishte ose jo dëmtime trupore; kishte arritur ose jo pjekurinë seksuale. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor të 12 tetorit 2015 rezulton se shtetasja S.A është e defloruar dhe dhe përkon me të dhënat e ngjarjes të datës 17 shtator 2015. Ndërkohë sipas ekspertizës shtetasja S.A. e ka arritur pjekurinë seksuale. Nisur nga këto rrethana, gjykata ka argumentuar se ligji parashikon një mbrojtje të posaçme, për një marrëdhënie juridike të rëndësishme, siç është ajo e vendosur nga shteti për të siguruar lirinë dhe paprekshmërinë seksuale të fëmijëve të mitur të moshës nën katërmbëdhjetë vjeç. Cënimi i kësaj marrëdhënieje nga shtetasit, sipas gjykatës përbën krim dhe pasi sjell përgjegjësi penale.
 
Vendimi, Gjykata: Sulollari, të edukohet në ambientet e burgut
Gjykata çmon se dënimi E. Sulollari është plotësisht i justifikueshëm, duke e krahasuar atë me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale të “Marrëdhënies seksuale me të mitura”, rrethanave të kryerjes së saj si dhe rrezikshmërinë e të pandehurit në rastin konkret. Gjithashtu, gjykata çmon se, ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave penale nga i pandehuri, rehabilitimit të tij, si dhe parandalimit të përgjithshëm të kësaj vepre penale në shoqëri. Nisur nga fakti që Sulollari u deklarua fajtor, për veprën penale për të cilën u akuzua, sipas gjykatës së Tiranës, i duhet të paguajë shpenzimet proceduriale të parapaguara nga shteti.


Redaksia Online
(E.Ç/shqiptarja.com)