Dalin pamjet e vrasjes së shqiptarit Albert Bako 36-vjeç në burgun grek të Koridhallos në datë 14 janar të këtij viti. Në video duket momenti kur Bako goditet me grushte dhe thikë nga disa të dënuar brenda burgut, ndërsa vrapon për të shpëtuar.

E ndërsa gardianët nuk reagojnë, pas goditjeve në stomak dhe pjesët e tjera të trupit, në pamje duket momenti kur transportohet në spital i mbuluar nga gjaku. Por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk arriti që të mbijetonte duke humbur jetën nga plagët që mori.

Autorët e vrasjes janë një 34-vjeçar shqiptar dhe një 25-vjeçar grek. Albert Bako vuante dënimin për një vrasje në 2014, ndërsa akuzohej edhe për disa vepra të tjera. Bako ishte pjesë e një grupimi nacionalist me rreth 145 mijë anëtarë në Facebook, të cilët kishin si moto të tyren hakmarrjen ndaj Greqisë për vrasjen e Ilia Karelit në burgun e Nigritas.

Pamjet e vrasjes janë publikuar nga 'To Vima' si pjesë e një dokumentari mbi sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit ku akuzohet qeveria se po përpiqet që të mbulojë atë që ndodh. Në burgjet greke në muajt e fundit kanë ndodhur shumë përleshje mes shqiptarëve, grekëve, afrikanëve, por edhe të dënuarve nga vende të tjera, ndërsa bilancet kanë qenë të rënda.

Në dokumentarin e medias greke për gjendjen në burgjet e vendit fqinj theksohet se në 10 muajt e fundit janë shënuar 26 viktima nga përleshjet, ku mes tyre ka pasur edhe disa shqiptarë. Përleshja e fundit ndodhi mbrëmë po në burgun e Koridhallos në Greqi, ku u plagos një shqiptar 30-vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet.