DURRËS - Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënimin me nga 4 vjet e gjysëm burg për 2 drejtuesit e Inspektoratit të Mjedisit në këtë qytet, të akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
 
Në përfundim të gjykimit, i cili u zhvillua me procedurë të shkurtuar, sipas Prokurorisë eshte provuar se Genci Balla, me detyrën e Kryeinspektorit të Mjedisit në Durrës dhe Eduart Bejko, në funksionin e inspektorit në këtë institucion, do i merrnin një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private në Durrës, në këmbim të mosaplikimit të masave administrative gjobë për parregullsi në ushtrimin e aktivitetit të tij.
 
Gjithashtu, së bashku me dy drejtuesit e inspektoratit të mjedisit Durrës, Prokuroria ka kërkuar edhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, me kusht, për Dorina Nikolla, e cila akuzohet për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”.
 
Nikolla dyshohet se ishte personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë.
 
Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrnin nga administratori kinez shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mos ushtrimit të kontrollit në këtë kompani private.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)