Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, avokatin e njohur Besart Logun i akuzuar për marrjen e shumës prej 8000 eurosh një klienti italian me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarët e drejtësisë, në këmbim të daljes nga burgu të klientit të tij.
Besart Logu akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas hetimeve të SPAK, Logu i ka marrë më datë 13 dhjetor klientit të tij, Salvatore Castorina, duke i premtuar se do të ndikonte tek prokurori dhe do ta lironte nga burgu. Paratë i janë dorëzuar avokatit nëpërmjet një agjenti të infiltruar.
Salvatore Castorina është prangosur i akuzuar për veprat penale “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim.
Më 10 shtator GJKKO i caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, ndërsa më 29 shtator kjo masë sigurie është shuar dhe Logu është udhëtuar të mos ushtrojë profesionin e tij të avokatit për një kohë të pacaktuar.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 11 nëntor 2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, çështjen penale nr. 242/2024, në ngarkim të të pandehurit Besart Logu.
Çështja është regjistruar më 27.11.2024 për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, dhe
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Procedimi u regjistrua pas kallëzimit të shtetasit me iniciale, S.C dhe është ndjekur me hetime proaktive duke u mbështetur në metoda speciale të hetimit:
Të dhënat e hetimit
Nga provat e grumbulluara, ka rezultuar se i pandehur Besart Logu ka kërkuar dhe më pas ka marrë, në datën 13 dhjetor 2024, shumën prej 8000 eurosh, me qëllim ndikimin tek prokurori, gjyqtari dhe ekspertët kontabël që kishin në shqyrtim çështje penale, në ngarkim të klientit të tij, shtetasit S.C., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm,Tiranë.
Klienti i tij akuzohej për veprat penale, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Shuma është dorëzuar nga agjenti i infiltruar dhe është marrë nga i pandehuri kundrejt premtimit për të liruar klientin e tij të arrestuar. Rezultatet e hetimeve provojnë se shuma prej 8000 eurosh nuk është marrë si pagesë për shërbimet ligjore të ofruara si avokat, por si përfitim i parregullt, me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarët e drejtësisë, në këmbim të daljes nga burgu të klientit të tij, fakt i cili nuk ndodhi, bazuar mbi hetimet e kryera.
Nga analiza e provave, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se i pandehuri Besart Logu ka konsumuar elementët e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Kjo vepër penale është formale dhe për kyerjen e saj nuk kërkohet realizimi i pasojës së premtuar (p.sh. lirimi nga burgu apo lehtësimi i akuzave), por mjafton kërkimi ose marrja e përfitimit të parregullt me këtë pretendim.
Komente











E mer avokat. Kshu e ka kjo pune. Hajde mos e vrit mendjen se do gjesh nje pune tjeter. Sa e kane ngrene para teje dhe sa do e hane. Prandaj dalin nga 1 mije avokate cdo vit.
Përgjigju