Një punonjës policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Durrës me akuzën e korrupsionit. Sipas AMP, arrestimi i tij erdhi pasi polici i kërkoi një personi një shumë prej 60 mijë lekësh të reja për t’i nxjerrë automjetin nga pika e bllokimit si dhe për të mos i vendosur gjobë.
AMP ka publikuar edhe pamjet nga operacioni, i kryer në bashkëpunim me SPAK, si dhe paratë që ishin futur brenda një zarfi. Agjencia thotë se vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës - Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë G. H., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal.
Arrestimi në flagrancë u realizua pas veprimeve me metoda speciale të hetimit, ku u arrit të provohej se punonjësi i policisë duke shfrytëzuar funksionin organik në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit E.S., një shumë prej 60 000 lekë të reja (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale), duke i premtuar në këmbim që do ti nxirrte mjetin nga pika e bllokimit, si dhe mosvendosjen e masës administrative.
Vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Komente










I mbushi Skapi statistikat me keta policat per 600 euro. Ketej nga ana tjeter ikin miliona euro me tendera
PërgjigjuËshtë shume kollaj me provu në gjykatë një korrupsion 600 euro. Po një me miliona është kompleks, se dhe ato që vjedhin nuk janë polica. Dhe duhet të provosh përtej dyshimit të arsyeshëm, jo me gazeta e me tiktok