VLORË- Një topograf në Vlorë është arrestuar pasi mori ryshfet për të pajisur me dokument zyrtar një qytetar. Report Tv mëson se në pranga ka rënë 52-vjeçari me iniciale A.G. topograf në Njësinë Administrative Qendër në Vlorë.
Burime zyrtare thonë se arrestimi i tij u bë pas një hetimi 1-mujor, ku rezultoi se topografi kishte marrë para për t’i dhënë një qytetari një dokument zyrtar, por nuk dihet konkretisht se për çfarë bëhet fjalë. Ai akuzohet për korrupsion pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike.
"Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Harta". Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Pajisi një shtetas me dokument zyrtar, në këmbim të ryshfetit, vihet në pranga 52-vjeçari, me detyrë topograf.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një hetimi 1-mujor, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Harta", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- A. G., 52 vjeç, me detyrë topograf, pranë Njësisë Administrative Qendër, Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, pasi nga hetimet rezulton se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka pajisur me një dokument zyrtar, një shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale", njofton Policia.