U mbajt këtë të premte seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për dosjen e njohur si “SASPAC”, ku i pandehur është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Të pandehurit kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin e çështjes në gjykim. Pasi dëgjoi palët, gjykata u tërhoq për vendimmarrje, e cila pritet të shpallet më 27 korrik.
Beqaj vazhdon të kundërshtojë vijimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ të caktuar ndaj tij në korrik të vitit 2024 lidhur me hetimin e SPAK për dosjen ‘SASPAC” ku akuzohet se abuzoi me detyrën.
Ish-ministri Beqaj disa ditë më parë argumentonte se masa e paraburgimit nuk po mbështetet në fakte konkrete, koherente dhe proporcionale.
Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022-2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.
Ilir Beqaj akuzohet për pesë vepra penale, “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”.
Komente








