Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për zëvendësimin e arrestit në burg, në një masë më të butë sigurie.

Ilir Beqaj do të mbetet në qeli, për dosjen SASPAC, ku është i pandehur për abuzim me donacionet e huaja.

Beqaj ofroi edhe garanci pasurore 2 milion lekë për zbutje të masës së sigurisë duke përdorur si argument edhe vendimin e unifikuar u Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës për arrestin me burg.

Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAK, lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022-2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.

Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë