Kryeprokurori Adriatik Llalla është i pari në listë që i “dorëzohet Vetingut. Dosja e tij do të shqyrtohet me imtësi dhe pritet që shumë shpejt të jepet dhe rezultati përfundimtar për pasurinë, anën profesionale dhe të gjitha kërkesat e parashikuara.

Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka aktualisht në proces kontrolli dosjet e 13 prokurorëve që janë të parët që po i nënshtrohen këtij procesi, pasi kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Prej disa ditësh Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur nga puna për kontrollin e dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Aktualisht në filtër po kalohen dosjet e përzgjedhura me short të 13 prokurorëve të cilët janë kandidatë për KLP dhe KED.

Në Prokurorinë e Përgjithshme janë përzgjedhur për t’u kontrolluar nga tre dosje për kreun e akuzës Adriatik Llalla, për anëtarin e KED Rovena Gashi si dhe për tre kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë Kosta Beluri, Anila Leka, dhe Arben Dollapi. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procesit të Vetingut po i nënshtrohen Besnik Muçi, Gentian Osmani dhe Gentian Trenova. Ndërsa tek Prokuroria e Tiranës po kalojnë në këtë proces kontrolli Dritan Rreshka, Antoneta Sevdari, Shpëtim Kurti, Arben Nela dhe Adriatik Cama.

Gjyqtarët dhe prokurorët që kandidojnë për KLP dhe KLGj janë të parët që do t’i nënshtrohen kontrollit dhe me pas në filtër do të kalojnë të 800 gjyqtarët dhe prokurorët që janë aktualisht pjesë e sistemit të drejtësisë. Me short janë përzgjedhur më parë dhe dosjet për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetueses, Gjykatës së Lartë.

Shkarkimi nga detyra i prokurorit apo i gjyqtarit do të vendoset kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të. Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës.

Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale. Në rast se nga vlerësimi tërësor, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit.  

dy.b/shqiptarja.com