Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e mirënjohjes me socialistët e zonës së Dajtit, Lagjes 12, Shëngjergjit, Krrabës, Zall Herrit, Zall Bastarit, dhe Bërzhitës, të cilëve u vlerësoi sakrificat ndër vite. Veliaj tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë që e ka afruar Shqipërinë me Perëndimin. Ai shtoi se Sali Berisha është reduktuar në një dritare, ndërsa Ilir Meta në një vare argëtuese që shëtit nëpër Shqipëri.
“Sot po shikojmë se si Sali Berisha është reduktuar në një dritare te rruga “Mustafa Matohiti”. Sot po shikojmë se si Ilir Meta është reduktuar në një vare argëtuese, që shëtit nëpër Shqipëri. Sot është kollaj të bësh gallatë, me e trajtuar Saliun dhe Ilirin si një meme, me këto muhabetet e rrjeteve sociale, por ka qenë një kohë kur këta nuk ishin gallatë, se ishin persekutuesit numër 1. I pari nga jashtë, i dyti nga brenda. I pari të dhunonte me SHIK-un dhe policinë e tij, i dyti ta sabotonte me përçarjen nga brenda. Sot është gallatë me pa Ilirin dhe Saliun në atë derexhe, por që të vinim te kjo ditë, që të qeshim dhe të argëtohemi me mënyrën si kanë degjeneruar ato figura politike, u desh mundi dhe djersa e atyre që e mbajtën 33 vjet forcën tonë si forcë serioze, që bën shtet dhe qytet”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi se koha ka treguar se PS-ja është familja më patriotike dhe më e vendosur për të afruar Shqipërinë me Perëndimin.
“Koha ka treguar se PS është familja më patriotike, më progresiste, më e vendosur për të afruar Shqipërinë me perëndimin, se çdo forcë politike në 113 vite shtet. Sot jam vërtet krenar që e kemi kthyer Tiranën një kryeqendër të Ballkanit. Sot Tirana është presidenca e B40, që është gjithë Rrjeti i Bashkive të Ballkanit. Vjet Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, dy vite më parë ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin që vjen do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Tirana këtu ishte, por çështja është që qeverisej nga ata që nuk kishin qëllim të bëjnë punë. E merrnin pushtetin si një mjet, një instrument, për të dhunuar tjetrin, për ta ulur tjetrin, për ta përçarë tjetrin, për ta persekutuar. Ndërkohë, ne e shohim pushtetin si një mjet për ta rritur Tiranën, për ta zbukuruar Tiranën, për ta ndërtuar Tiranën, për ta lartësuar Tiranën. Kjo është një diferencë shumë e madhe”, tha Veliaj.
Në një takim me strukturat e PS së Dajtit, Lagjes 12, Shëngjergjit, Krrabës, Zall Herrit, Zall Bastarit, dhe Bërzhitës, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se edhe ata që djegin goma para godinës së Bashkisë së Tiranës sot jetojnë më mirë, falë punës së bërë nga socialistët.
Ai shtoi se edhe vetë Berishës shtëpia i ka marrë vlerë prej punës së bërë për përmirësimin e infrastrukturës.
“Merrni rrugën ku jeton Saliu, ku flet përditë dhe shan PS. Rruga “Mustafa Matohiti” ka pasur një rritje të vlerës së pronës 375%. Pra, është rritur thuajse katër herë vlera e pronës së shtëpisë dhe rrugës së Saliut, që kur e ka marrë drejtimin PS. Edhe armiku ynë më i betuar është sot katër herë më i pasur, se flet nga një ballkon që vlen katër herë më shumë, prej punës që ka bërë PS për atë rrugë, për atë infrastrukturë”.
Veliaj theksoi se sot Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë ditët më të mira.
“Ditët më të mira janë sot. Shqipëria me Edi Ramën ka qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit, ka drejtuar OSBE, jemi sot në Kampionatin Europian, ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe Sportit, e do jemi i Kulturës. Sot jemi në ditët më të mira, por meqë jemi socialistë, ditët më të mira akoma i kemi përpara. Kemi ardhur nga burra dhe gra që kanë 33 vite kontribut të jashtëzakonshëm. Sot janë ditët më të mira falë asaj sakrifice. Imagjinoni sikur ata të ishin dorëzuar, t’i kishin thënë Saliut ‘ke të drejtë, siç vrave katër mund të vrasësh dhe 400’. T’i thoshin Saliut për Remzi Hoxhën, siç rrëmbeve një, mund të rrëmbesh edhe 1000. Mund t’i kishin thënë Saliut, siç vodhe në ‘94 dhe ’96, mund të vjedhësh edhe të tjerat. Nëse ata do ishin dorëzuar, nuk do ishim këtu sot. Prandaj, një duartrokitje për të gjithë ata që e mbajtën, e forcuan, e deshën dhe nuk u dorëzuan, për të pasur këtë forcë të jashtëzakonshme”, nënvizoi ai.