Dosjet e tyre penale kanë mbërritur dje në mesditë nga prokuroria e Tiranës, e cila kishte rregjistruar procedim penal vetëm për “Armëmbajtje pa leje” në atë të Krimeve të Rënda, që nga ana e saj ka rregjistruar hetimet për akuzën e “Akteve terroriste”, “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Gjatë seancës gjyqësore Aleksandër Gora, nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në krime, ndërkohë që pavarësisht kësaj gjykata ka marrë në konsideratë rrëfimin e Kristi Pines, duke vendosur të lerë në qeli Aleksandër Gorën. Në qeli është mbyllur dhe Kristi Pine, njeriu që deri në këtë kohë konsiderohet si bashkëpuntor i prokurorisë.
Pine kërkon cigare
Prokurori i dosjes Besnik Muçi, i ka pohuar trupit gjykues se dy të arrestuarit dyshohen se janë pjesëmarrës në disa ngjarje të rënda kriminale dhe se përbëjnë rrezik të lartë në shoqëri, dhe nisur nga kjo situatë, sipas Muçit të dy duhet të mbyllen në qeli, për t’iu nënshtruar procesit hetimor.
Sipas prokurorit hetimi ndaj këtyre dy shtetasve është në fazën fillestare të tij, dhe se në këtë çështje ekzistojnë dyshime se janë të përfshirë dhe persona të tjerë në krime. Jo zyrtarisht thuhet se në kërkim është shtetasi Tarzan Proni nga shkodra, i cili mendohet se ka qenë pjesëmarrës në vrasjen e Ibrahim Mani, krim ky i ndodhur në vitin 2014 në Shkodër. Gjatë seancës gjyqësore, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Kristi Pinen, ky i fundit ka kërkuar një cigare tek policët e grupit të shoqërimit. Ky moment, u vu në dukje teksa trupi gjykues është tërhequr për vendim.
Pine nuk ka thënë asnjë fjalë para gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërkohë që ndaj tij ishte vendosur një avokat kryesisht. Ndërsa i arrestuari tjetër për këtë ngjare Aleksandër Gora, ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me krimet që ka treguar shoku i tij Pine në prokurori. Pavarësisht këtij pretendimi Gora është mbyllur në qeli për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Lidhja me Tafilajn
Kristi Pine, Aleksandër Gora, Alfred Qefalia kanë lidhje shoqërie me njëri-tjetrin dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar në disa krime. Prokuroria pretendon se Gora, Pine dhe Qefalia, janë njohur me të dënuarin me burgim të përjetshëm Admir Tafilaj. Ky i fundit ka pasur njohje me Kristi Pinen në burgun e Bradasheshit në Elbasan, fill pasi u mbyll pas arratisjes nga burgu i Drenovës së Korçës. Pikërisht në të njëjtin burg ka qenë dhe i riu Kristi Pine, i cili ishte arrestuar dhe po vuante një dënim me disa vite burg për akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në qytetin e Elbasanit.
Ky ka qënë kontakti i parë mes Admir Tafilaj dhe Kristi Pines, i cili siç duket ka pranuar ofertën e të dënuarit për jetë që të kryente krime për llogari të tij, kundrejt pagesës së parave. Ndërkohë që me shtetasin Aleksandër Gora, Tafilaj është njohur në burgun e Drenovës në Korçë, ku Aleksandër Gora ka vuajtur një dënim me disa vite burg për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërsa njohja me Alfred Qefalinë, sipas burimeve të prokurorisë është bërë në burgun 313 në Tiranë, ku Qefalia dhe Tafilaj kanë qenë në paraburgim së bashku.
Pikërisht këto kontakte, kanë shërbyer që Admir Tafilaj të krijonte grupin e tij jashtë burgut, të cilët më pas janë vënë në shërbim të plotë të tij, duke marrë porosi për të kryer vrasje dhe atentate të ndryshme. Dyshimet flasin se Tafilaj, ishte njeriu që merrte porositë dhe se më pas u jepte urdhëra të rekrutuarvë të tij që ndodheshin jashtë burgut.
Aktualisht nuk janë siguruar prova konkrete, por prokurorët shprehen të bindur se ekzistojnë dyshime të forta se Tafilaj, është organizatori dhe drejtuesi nga burgu i këtij grupi kriminal, ku kanë bërë vrasjen e shtetasin Ibrahim Mani në Shkodër, plagosjen rëndë me tritol të biznesmenit Armando Çeka dhe Julian Çelës si dhe plagosjen rëndë të kushërinjve Edmond dhe Andi Çakmashi.
Tritoli për drejtorin Suloj
Personat e arrestuar, dyshohet se janë njerëzit kryesorë të vendosjes së tritolit në makinën e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës Arben Suloj. Kristi Pine, në rrëfimin e tij teksa është pyetur nga prokurorët ka pohuar se nuk kishte lidhje me këtë ngjarje dhe s’kishte dijeni. Pine do ripyetet sërisht nga prokuroria për të hedhur dritë mbi një sërë krimesh të tjera.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 shkurt 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)