DASH shpall non grata ish zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Keqpërdori postin për përfitime të biznesit të tij privat

DASH shpall non grata ish zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Keqpërdori postin për përfitime të biznesit të tij privat

Koço Angjushev

Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar Koço Angjushevin, ish -zëvendës kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe familjen e tij, si persona të padëshirueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm.

Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, thuhet se gjatë kohës që ishte zëvendës kryeministër, zoti Angjushev shpërdoroi postin e tij zyrtar për interesa të përfitimit të biznesit të tij privat, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike.

“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë që zyrtarët publikë të korruptuar të vihen para përgjegjësisë. Ky përcaktim rikonfirmon përkushtimin e SHBA-ve për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, frenon mirëqenien ekonomike të vendeve dhe dëmton aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Departamenti i ka ndaluar gjithashtu hyrjen në SHBA edhe gruas së zotit Angjushev, Elizabeta dhe fëmijët, Angel dhe Ognen..

Zoti Angjushev njihet edhe si biznesmen. Kompania e tij “Brako” ndërtoi një numër spitalesh provizore gjatë pandemisë së Koronavirusit përmes një tenderi jotransparent.

Një nga ato spitale, ai i Tetovës u përfshi nga zjarri në shtator të vitit 2021 nga i cili gjetën vdekjen 14 pacientë dhe familjarë të tyre.

Ai është themelues edhe i një kompane që është marrë me tregëtinë e energjisë elektrike.

Revista amerikane Forbes në vitin 2014 e shpalli zotin Angjushev si njërin prej pesë maqedonasve më të pasur. Ai është profesor në universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” të Shkupit.

Përcaktimi i ish-Zëvendëskryeministrit Angjushev, pason vendimin e para disa muajve të Departamentit amerikan të Thesarit për përcaktimin e një biznesmeni tjetër të njohur nga Shkupi, Jordan (Orce) Kamçev për korrupsion.

Në qershor të këtij viti, DASH-i shpalli si person të padëshiruar edhe kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler ka theksuar më parë se pret me interes të shohë nëse institucionet maqedonase do të ndërmarrin hapat e duhura sa i takon luftës kundër korrupsionit. Sipas saj, personat përgjegjës duhet të japin llogari para drejtësisë. /VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Djali nuk ka dashur ta takojë Parashqevi Simakun', flet ish-bashkëshorti i këngëtares: Vetëm sot ra dakord

'Djali nuk ka dashur ta takojë Parashqevi Simakun', flet ish-bashkëshorti i këngëtares: Vetëm sot ra dakord