TIRANË- Konsiderohet ndryshe edhe si i ‘përjetshmi i përgjimeve’ në Shqipëri. Bëhet fjalë për prokurorin Thoma Jano, i cili drejton prej 16 vitesh zyrën e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Thoma Jano e ka nisur karrierën në drejtësi që në vitet ’80. Në vitin 2002, Jano u emërua zëvendësministër i Rendit Publik. Këtë detyrë e ushtroi vetëm dy vjet. Nga viti 2004 dhe deri më sot, Thoma Jano drejton zyrën e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, duke u bërë drejtuesi më jetëgjatë i përgjimeve në Shqipëri. Jano ka pritur dhe përcjellë katër kryeprokurorë pa lëvizur nga detyra, konkretisht Theodhori Sollakun, Ina Ramën, Adriatik Llallën dhe Arta Markun. Në dhjetor të vitit 2019, Thoma Jano u zgjodh edhe zëvendësprokuror i Përgjithshëm, nga kryeprokurori i ri Olsian Çela.

Procesi i Vetingut për Thoma Janon nisi që në janar të vitit 2018. Seanca dëgjimore u zhvilluar në shkurt të këtij viti, ndërsa dy ditë më parë, Komisioni i Vetingut ka publikuar vendimin për konfirmimin në detyrë të Prokurorit. Jano kaloi pa probleme të tre testitet e Vettigut, ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit... konstatoi se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”, thuhet në vendim.

Gjatë seancës dëgjimore, Thoma Jano u shpreh se “Kam 44 vjet punë, ndërkohë që më nevojiten edhe 5 vite të shlyej kredinë për apartamentin e blerë në vitin 2000. Të ardhurat dhe shpenzimet i kam deklaruar çdo vit. Kam bërë një jetë të thjeshtë dhe prej 16 vitesh drejtoj një strukturë në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam qenë ndërmjetës mes prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve të inteligjencës. Për këto arsye kam kryer testin e poligrafit tre herë dhe kam dalë i përshtatshëm”.