Ksamil - Një 20-vjeçar nga Franca është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15 në shezlongët lokalit 'Principotes' në zonën bregdetare të Ksamilit.
Paraprakisht dyshohet se i riu është vrarë me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata nga Hasi pas një konflikti, motivet e të cilit janë ende të paqarta.
Pas ngjarjes autori është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia vijon punën për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
"Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes" njoftoi sot policia.
Lajm në përditësim…
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Foto: Sokrat Vata
Sokrat Vata, 29-vjeçari i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së një shtetasi francez rreth 20 vjeç në Ksamil, rezulton të ketë një të shkuar penale në Britaninë e Madhe.
Në një artikull të publikuar nga BBC në vitin 2024, raportohet se Vata ishte dënuar me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për një sërë veprash penale që lidheshin me trafikimin e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Sipas BBC, Vata, në atë kohë 27 vjeç, ishte përfshirë në dy ndjekje të veçanta nga policia britanike, në Cambridge dhe Kent. Një prej episodeve kishte ndodhur më 13 prill 2024, në A20 pranë East Malling. Sipas raportimit, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u ndoq nga efektivët. Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtonte u përmbys. Vata nuk u kap në atë moment, por brenda automjetit policia gjeti disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.
Ndërkohë më 30 prill, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore, këtë herë në Cambridge, ku po lëvizte me një makinë të vjedhur.Gjatë arratisjes, Vata ndaloi për të lënë një pasagjer dhe më pas vazhdoi deri në Clara Rackham Street. Atje braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Sipas policisë britanike, gjatë largimit ai hodhi në një shkurre një pako me kokainë. Arratisja përfundoi kur efektivët e gjetën të fshehur në oborrin e pasmë të një banese në Cambridge. Në xhepat e tij iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u sekuestruan edhe targa të tjera. Testet treguan gjithashtu se Vata kishte drejtuar automjetin nën efektin e drogës. Më 25 shtator 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi Vatën me pesë vite burg.
Sipas BBC, ai kishte pranuar më herët fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.







Komente
Komento