TIRANË-Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë këtë të mërkurë në kuadër të operacionit të koduar "500", për veprën penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”. Report Tv raporton se bëhet fjalë për personin me inicialet G.XH., banues në Kavajë.
37-vjeçari u arrestua nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative.
G.XH. po lëvizte me automjet në rrugën “Sadik Petrela”, kur u ndalua. Gjatë kontrollit të ushtruar, atij iu sekuestrua 20.500 euro të falsifikuara dhe dy aparate celulare. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.