TIRANE- Shtatë persona mes tyre, administratori i kompanisë “Alba”, F.XH dhe punonjësi i laboratorit të Ushtrisë, M.B, janë mbyllur në qeli, si rezultat i falcifikimit të dokumentave për tregtimin e vajrave lubrifikantë, të cilat i paraqisnin se ishin të kompanive të njohura si “Shell” dhe “B&B” dhe më pas ia shisnin Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e kryera është zbuluar se në këtë skemë është përfshirë dhe një punonjës i kompanisë së tregtimit të lubrifikantëve “Asja”, Erjon Agolli, si dhe shtetasi Besmir Mali, inspektor i Drejtorisë së Inspektimit të Naftës dhe Gazit. Pjesë e këtyre personave kanë qënë dhe shtetasit Besjan Xhemali, djali i Flamurit, Amarildo Thomaj dhe Ermal Myrta, që të gjithë të lënë në masën e “arrestit në burg” nga gjykata e Tiranës.
Sipas njësisë hetimore Task-Forcë, ka rezultuar se përfaqësuesit e kompanive, në bashkëpunim me një inspektor të Drejtorisë së Inspektimit të Naftës dhe Gazit dhe një punonjës të laboratorit të Ushtrisë Shqiptare,kanë fallsifikuar dokumentat për llojin e vajit lubrifikant, si edhe për cilësinë e tij. Këta persona, në bashkëpunim, kanë hedhur në treg vaj lubrifikant të një cilësie të ulët, duke e paraqitur si mall të kompanive të njohura botërore në këtë treg.
Shitja tek policia
Në periudhën gusht deri tetor të vitit 2014, Flamur Xhemali, administrator i firmës private “Alba sha”, me aktivitet në tregtimin e vajrave dhe djali i tij Besjan Xhemali, njëkohësisht i punësuar në shoqëri, kanë bashkëpunuar me shtetasin Besmir Mali, Inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Naftës dhe Gazit, për falsifikimin e dokumenteve që lidhen me analizat e vajrave të shoqërisë dhe faturave financiare të tyre. Me këto veprime shtetasit Flamur Xhemali, Besjan Xhemali dhe Besmir Mali, kanë konsumuar veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre, në bashkëpunim.
Flamur Xhemali dhe Besjan Xhemali,në kuadër të veprimtarisë së shoqërisë së tyre, kanë tregtuar produkte të dy markave të njohura botërore në tregtimin e vajrave lubrifikantë, ndërkohë që nuk kanë pasur autorizim nga kjo kompani. Këto persona kanë për të falsifikuar analizat e vajrave të deklaruara si të blera nga këto subjekte të njohur botëror.
Falsifikimi konsistonte në paraqitjen e të dhënave të rreme sikur malli është blerë nga shoqëritë e mësipërme si dhe vendin shitës të mallit.Në kuadër të veprimtarisë së shoqërisë, në periudhën gusht deri tetor të vitit 2014, Flamur Xhemali dhe Besjan Xhemali, kanë bashkëpunuar me shtetasin M.B, punonjës i laboratorit të ushtrisë, për falsifikimin e dokumenteve që lidhen me analizat e vajrave, të cilat shoqëria “Alba sha” do t’i shiste Policisë së Shtetit.
3 milionë lekë
Besjan Xhemali, ka bashkëpunuar me shtetasin Amarildo Thomaj, për falsifikimin e dokumenteve që lidhen me analizat e vajrave të shoqërisë “Alba sha”. Ndërkohë shtetasi Erjon Agolli, përfaqësues i shoqërisë “Asja”, ka bashkëpunuar me shtetasin Besmir Mali, Inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Naftës dhe Gazit, për falsifikimin e dokumenteve që lidhen me analizat e vajrave të zhdoganuara nga shoqëria. Për këtë fakt Erjoni ka ofruar t’i japë para shtetasit Besmir, fakt që është pranuar nga ky i fundit.
Në këmbim Besmiri ka pranuar të bëjë analizat e produkteve të zhdoganuara, pasi ato ishin larguar nga dogana duke fshehur parregullsitë e procedurave doganore.Dy shtetasit Flamur dhe Besjan Xhemali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë premtuar shtetasit Ermal Myrta,për t’i dhënë shumën 300.000 lekë, me qëllim që ky i fundit të ndikonte tek kryetari i një komune në Tiranë për të legalizuar një objekt të ndërtuar prej tyre.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i:
Flamur Xhemali, 58 vjeç, banues në Tiranë, me punë – Administrator i Kompanisë “ALBA sh.a” Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 259; 244 dhe 186 të Kodit Penal.
Besjan Xhemali, 28 vjeç, banues në Tiranë, me punë – Menaxher i Kompanisë “ALBA sh.a” Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 245/1; 244 dhe 186 të Kodit Penal.
M.B, 34 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Budi”, me punë – ish Shefi i Laboratorit të Forcave të Armatosura Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 244 dhe 186 të Kodit Penal.
Besmir Mali, 27 vjeç, banues në Tiranë, me punë – Inspektor pranë Inspektoriatit Qëndror të Naftës dhe Gazit, Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 259 dhe 186 të Kodit Penal.
Ermal Myrta, 25 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mësues në shkollën e mesme në Vaqarr – Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 Kodit Penal.
Erion Agolli, 32 vjeç, lindur në Korçë, me detyrë menaxher shitje tek Kompania “ASJA sh.a” Tiranë. Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Fallsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 186/3-25 dhe 244 të K.Penal.
Amarildo Thomaj, 30 vjeç, lindur në Elbasan, me punë – inxhinier design tek Studio Arkitekture “Pasp+P”. Ky shtetas akuzohet për veprën penale të “Fallsifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 të K.Penal.
Hetimi
Flamur Xhemali, si administrator i Kompanisë “Alba sh.a” dhe Besjan Xhemali, në bashkëpunim me punonjësit e Inspektoriatit Qëndror Teknik të Naftës dhe Gazit Tiranë, si dhe Laboratorit të Forcave të Armatosura Tiranë, fallsifikonin fletë të analizave të të gjitha llojeve të vajrave lubrifikante që tregëtoheshin në tregun shqiptar.
Gjithashtu po këto fletë-analiza, shtetasi Flamur Xhemali i përdorte në të gjitha tenderat ku merte pjesë dhe është shpallur fitues i tenderave.
Inspektori i Inspektoriatit Qëndror Teknik të Naftës dhe Gazit Tiranë, shtetasi Besmir Mali, në bashkëpunim me shtetasin Erion Agolli- menaxherin e shitjes të Kompanisë “ASJA sh.a”, merrte mostra të vajrave lubrifikantë të Kompanisë “ASJA sh.a”, pasi ishin zhdoganuar mallrat, duke përpiluar analiza fiktive.
Shtetasi Ermal Myrta, ushtronte ndikim të paligjshëm për legalizimin e një objekti në favor të subjektit “Alba sh.a”.
Gjatë kontrollit në Laboratorin e Inspektoriatit Qëndror Teknik të Naftës dhe Gazit Tiranë dhe në Laboratorin e Forcave të Armatosura Tiranë, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale, fletët e analizave të përpiluara nga subjekti “Alba sh.a”.
Ky hetim është ndjekur nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me metoda speciale të hetimit për një periudhe kohore prej 6 mujore dhe aktualisht vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)