Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, është vetëdorëzuar në pikën kufitare të Bllacës me Kosovën, teksa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej dhjetorit 2024. Teksa është dërguar në paraburgimin e Shuto Orizares në Shkup, Prokuroria ka kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për Grubin.

Ai akuzohet për veprat penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

Artan Grubi nga radhët BDI-së me kryetar Ali Ahmeti, është paraqitur vullnetarisht para autoriteteve në pikën doganore të Bllacës në orën 06:10 të mëngjesit sot ku dhe u arrestua menjëherë. Grubi gjithashtu është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në dhjetor të vitit 2024.

“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Prokuroria propozon arrest shtëpiak për ish-zv/kryeministrin shqiptar të Maqedonisë së Veriut

Foto: Artan Grubi

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi.

Tutje nga Prokuroria vlerësojnë se shumica e provave tashmë janë siguruar, se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes dhe se ekzistojnë indikacione për rrezikim të sigurisë së tij në paraburgim.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë

Prokuroria Themelore Publike Shkup, pas marrjes së njoftimit se i dyshuari i dytë në rastin për Lotarinë Shtetërore, ku ai dyshohet së bashku me edhe pesë persona të tjerë, është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me organet kompetente, do ta vazhdojë procedurën ndaj tij me qëllim marrjen e një vendimi prokurorial.

Me kërkesë të të dyshuarit të dytë përmes mbrojtjes së tij, gjatë ditës së sotme ai u paraqit para prokurorit kompetent, ku bëri këqyrjen e shkresave të lëndës, por për shkak të vëllimit të madh të materialit provues, këqyrja do të vazhdojë në ditët në vijim, pas së cilës të dyshuarit të dytë do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij.

Sa i përket masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarit të dytë në vazhdim të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, duke pasur parasysh faktin se në pjesën më të madhe provat janë siguruar gjatë procedurës, se ai është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes, si dhe se ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale, indikacione të cilat mbështeten me njoftime nga organet kompetente. Gjithashtu, indikacionet për rrezikimin e sigurisë kanë të bëjnë edhe me anëtarët e familjes së tij.

Ora 21:27
Maqedoni e Veriut/ Përfundon marrja në pyetje e ish-zv.kryeministrit shqiptar Artan Grubit, del me pranga nga prokuroria

Foto: Artan Grubi pas marrjes në pyetje

Ka përfunduar marrja në pyetje e Artan Grubit, ish-zv.kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Siç shihet nga pamjet, Grubi ka dalë me pranga nga prokuroria.

Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Ora 13:19
Partia e Ali Ahmetit reagon për arrestimin e Grubit, BDI: Të respektohet presumimi i pafajësisë!

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që ish-zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut Artan Grubi të përballet me një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, pas kthimit të tij në vend.

Në një njoftim për shtyp, partia e Ali Ahmetit  ka vlerësuar pozitivisht vendimin e Grubit, për tu vetëdorëzuar pranë autoriteteve teksa akuzohet për veprat penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore në vendin fqinj.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, duke krijuar kështu mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet. Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale. BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike. Vetëm një procedurë e drejtë dhe profesionale i shërben së vërtetës, institucioneve dhe besimit të qytetarëve. Duke marrë parasysh interesin e lartë politik dhe publik për këtë rast, partia do ta ndjekë me kujdes procesin në të gjitha fazat e tij” thuhet në deklaratë

Ora 11:15
Vetëdorëzimi i Artan Grubit, reagon koalicioni VLEN: Ishte personi që kreu të gjitha marrëveshjet e errëta të BDI-së

1771842131_artangrubi.jpg

Artan Grubi

Koalicioni VLEN ka reaguar pas vetëdorëzimit të ish-zv.kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik.

VLEN tha se me arrestimin e Grubit, u dorëzua kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së.

Sipas VLEN, Grubi është personi i cili ka kryer marrëveshjet e errëta të BDI-së, ndaj dhe zyrtarët e kësaj force politike janë të frikësuar nga dëshmia që ai mund të japë.

“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.