Një 40-vjeçar banues në Sarandë është arrestuar nga Policia në Spanjë. Adrian Ogiçi i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim”.

Më 2015-ën Ogiçi dyshohet se në bashkëpunim rrëmbeu Ridvan Lamajn në Sarandë dhe më pas u largua jashtë vendit. Denoncimi në atë kohë u bë nga bashkëshortja dhe vëllai i Lamajt.

Gjykata e Krimeve të Rënda në 2017 dënoi në total Ogiçin dhe Viktor Islamin me 39 vite burgim për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Ridvan Lamajt, për fatin e të cilit që prej 2015 nuk dihet më asgjë.

Islami mori 19 vjet dënim, ndërkohë që i dyshuari si bashkëpunëtor i tij Adrian Ogiçi u dënua me 20 vjet. Dyshohet se rrëmbimi i tij ndodhi për shkak të prishjeve të pazareve të drogës, përsa kohë dy të akuzuarit rezultonin të skeduar në fushën e narkotikëve.

Sipas prokurorisë, e cila raportoi asokohe se dyshimet ishin për aktivizimin e Lamajt si korrier droge dhe pas zhdukjes së një dërgese me hashash rrëmbyesit kanë dyshuar tek 37-vjeçari.

“Vijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në vijim të bashkëpunimit me partnerët për shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, në Spanjë, i shtetasit Adrian Ogiçi, 40 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas është i dënuar me 20 vite burg për kryerjen e veprave penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim”, njoftoi sot Policia.

____________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:47
Rrëmbeu dhe dyshohet se ekzekutoi Ridvan Lamajn, kush është Adrian Ogiçi i arrestuar në Spanjë! Lidhjet e tij me viktimën dhe trafiku i drogës

1775378849_tuoipopp.jpg

Policia e Spanjës ka arrestuar 40-vjeçarin Adrian Ogiçi, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi ishte dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Hetimet treguan se në qershor 2015, Adrian Ogiçi, në bashkëpunim me Vitor Islamin dhe persona të tjerë të paidentifikuar, kanë rrëmbyer në shëtitoren e Sarandës shtetasin Ridvan Lamaj.

Lamaj u fut me forcë në një automjet, ku dyshohet se më pas u transportua drejt zonës së Xarrës në Konispol. Aty dyshohet të jetë ekzekutuar, pavarësisht se trupi i tij i zhdukur ende pas më shumë se një dekade nuk është gjetur.

Adrian Ogiçi, Vitor Islami dhe Ridvan Lamaj, kanë pasur njohje të mëparshme dhe marrëdhënie shoqërore, ndërmjet tyre. Sipas gjykatës, të pandehurit Ogiçi e Islami, si dhe i dëmtuari Ridvan Lamaj dhe shtetasi A. K. janë përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Greqisë.

Ky trafik bëhej duke e transportuar lëndën narkotike, me këmbë, jashtë pikave të kalimit kufitar, ku i pandehuri Adrian Ogiçi, ishte në rolin e financuesit dhe siguruesit të lëndës narkotike.

Ndërsa i pandehuri Vitor Islami, së bashku me shtetasit Ridvan Lamaj dhe A. K. bënin transportimin e saj, në këmbë, të ngarkuar vetë, jashtë pikave të kalimit kufitar, në territorin grek.

--------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë