Gramsh-Një 41 vjeçar i shpallur në kërkim nga GjKKO për veprën penale 'Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike' kryer në bashkëpunim, është vendosur në pranga në Gramsh.

41-vjeçari Alban Rrodhe ish kreu i IMT është dëmuar nga GjKKO me me 6 muaj burg.

"Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, të mbështetura nga inteligjenca policore, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim dhe ekzekutuan urdhrin e Prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për ndalimin e shtetasit A. Rr., 41 vjeç, banues në Gramsh.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar 41-vjeçarin me 6 muaj burgim, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, për veprime të mëtejshme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i dha vendimet për Alban Rrodhen dhe 9 ish zyrtarë të bashkisë së Gramshit më 12 tetor të 2023.

Të gjithë të pandehurit pranuan fajin duke përfituar nga gjykimi shkurtuar i cili i ul 1/3 e dënimit.