Ashtu siç ishte përfolur për vendodhjen e tij pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, për vrasjen e Endri Mustafës, Ibrahim Lici u arrestua në Turqi.

Agjentët e antikrimit në Shkodër, kishin siguruar informacion se i shumëkërkuari Lici fshihej në Turqi. Pas kësaj, Interpol Tirana ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e tij. Lici u vu në pranga kur Policia turke finalizoi operacionin policor të koduar “Jehona”.

Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.

Por menjëherë pas publikimit të lajmit, Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaron nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndihet i sigurtë në Shqipëri. Ai thotë se e nuk është e vërtetë se Ibrahim Lici është arrestuar dhe shton se i vëllai i tij është i pafajshëm dhe nuk ka kryer asnjë vrasje.

Më tej, Hamza Lici, thotë  se i vëllai i tij, Ibrahim Lici do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi ka thënë se jeta e tij rrezikohet  me pretendimin se shteti bashkëpunon me bandat kriminale. Pak kohë më parë, në SPAK pyet babai I Ibrahimit, Mustafa Lici, i cili në dalje u tha gazetareve se ishte thirrur nga prokurorët jo për të birin por për dijeni në disa ngjarje.

Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:04
Vëllai i Ibrahim Licit: S'është arrestuar, është vetëdorëzuar dhe ka kërkuar azil politik në Turqi

1666876083_IBRAHIMLICI.jpg

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaron nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia por është vetëdorëzuar me qëllimin për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri. 

"Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t'i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t'i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale", deklaroi Hamza Lici nga Turqia.