“Dije këtu o injorant, që ke vetëm injorancën se nuk u hapën digat, se digat është të ulësh kokën nga apokalipsi. A e morrët vesh që kishte çuar don Agaçion për ti nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar. A nuk e denoncuam këtu në Parlament apo jo? Fol mo për këto. Po Balili të ka në grusht ty, fol e për Balilin po deshe. Po videon e orgjive të tua në Santa Quaranta ua ka dorëzuar të gjithëve”, tha Berisha.
“Kur s’kam bërë e kur nuk bëj politikë me emra kriminelësh e me emra krushqish, e me emra…. këtë e ke ti si llaxorja më e madhe e këtij vendi historikisht ty ta kemi lënë. Ke bërë dhe kazanin dixhital atje, vazhdo”, iu përgjigj Rama.
Në këtë moment, deputet i PD, Flamur Noka i cili i afrohet nxitimthi foltores teksa fliste kryeministri. Ishte ndërhyrja e forcave të Gardës të cilët shmangen edhe konfrontimin fizik, pasi gjatë gjithë kohës deputeti demokrat zgjaste duart në drejtim të kryeministrit. Pas fyerjeve të Berishës në adresë të Ramës, ky i fundit iu përgjigj nga foltorja me fjalën "llaxore" e cila për demokratin Noka është fyerje, ndërsa i kërkoi Ruçit të marrë masa ndaj kreut të qeverisë.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pas disa paralajmërimeve ndaj Nokës, ndërpreu seancën ndërsa tha se deputeti i PD përjashtohet nga punimet e Kuvendit. Kjo është herë e dytë që Flamur Noka përjashtohet nga punimet e Kuvendit që prej nisjes së legjislaturës së re në muajin shtator.
[gallery]25110[/gallery]
Përplasja në Kuvend
Edi Rama: Nga ç'pyll e keni sjellë këtë more? O Sali, në ç'pyll e gjete këtë? Nga ka dalë ky...Tërhiqeni në strofull këtë.
Flamur Noka: Nga pylli i sat ëme...
Gramoz Ruçi: Zoti Noka të tërheq vëmendjen.
Flamur Noka: Ndërpreja fjalën këtij.
Gramoz Ruçi: Zoti Noka, të tërheq vëmendjen. Keni dy minuta që pengoni zhvillimin e seancës. Përjashtohesh nga seanca.
Me rinisjen e seancës së Kuvendit, deputeti i PD, Flamur Noka doli jashtë, ndërsa pritet të jetë Byroja e Kuvendit ajo që do vendosë për përjashtimin ose jo të tij, përveç ditës së sotme.
Rama: S'fyej, jam nxënës i Konicës dhe Nolit
Pas ndërprejes disaminutëshe të Kuvendit, Rama sqaroi se gjuha e përdorur prej tij ndaj Berishës nuk është fyerje, ndërsa shtoi se deputetë te PD kanë probleme me sarkazmën.
"Jam nxënësi i Konicës dhe Imzot Nolit, ata më kanë mësuar mua të mësoj si të flas. S'jam i madh sa ata, jam shumë më i vogël. Problemi që keni me sarkazmën, është problemi juaj. S'i them kujt si Saliu që drejtohet me injorant, budalla, kriminel, nuk i them këto. Gjuha nuk është sëpatë, është thikë, sa më e mprehtë aq më thellë ther, godet në funksion të një debati që po bëhet. Nuk është personale", sqaroi Rama.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com