Si u hodh në erë me dinamit shtatorja e Stalinit në Tiranë, më 28 Mars 1990! Rrëfehet për 'Esencë' Bujar Nallbani: Frika dhe lumturia ime e atyre ditëve!

Në orën 20:30 të datës 28 Mars 1990, dëgjohet një shpërthim marramendës në zemër të Tiranës! Bujar Nallbani, bashkë me nipin e tij Gazmend Llanaj, i vënë dinamit shtatores së Stalinit në “Parkun Rinia”!

35 vite më pas, 28 Mars 2025, Bujar Nallbani rrëfen në emisionin ‘Esencë’ të Report Tv, jetën dhe frikën e atyre ditëve. Çfarë ndodhi, si e fshehu regjimi ngjarjen dhe çfarë i tha Sali Berisha Nallbanit për atë akt?! 

Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv.

Bujar Nallbani është emër i njohur në Shqipëri sepse ai është një personazh i lidhur me periudhën e pas rënies së regjimit komunist shqiptar dhe me fillimet e demokracisë sonë. Shpesh-herë Nallbani është përpjekur të flasë hapur për problemet në PD sot, por është lënë në harresë.

Eljan Tanini: -Personalisht ju vleresoj për kete veprim që keni bërë për veten tuaj dhe per ne. Përse i duhej vënë dinamit atij Stalini në qendër të Tiranës? Çfarë lloji mllefi kishit krijuar?

Bujar Nallbani: -Unë e kisha ndarë mendjen, do e vija dinamitin te këmbët e monumentit të Enverit në qendër të Tiranës, në kërthizë të Shqipërisë. Ishte kënaqësia ime më e madhe po të plaste dinamiti atje, jo vetëm kënaqësia ime por e shumë shqiptarëve. Por, vajta te Stalini sepse ishte ai babai i Enver Hoxhës. E spostova punën time te Bulevardi Dëshmorët e Kombit, përballë Leninit, te po ai Stalin që kishte qenë në qendër të Tiranës ku është Skënderbeu sot. Ishte shumë pak e mundur të vije dinamit te Enver Hoxha sepse dukeshe nga të gjitha anët, plus diku mund të kishte edhe ndonjë kamera.

Gazmend Llanaj dhe unë e kryem aktin e shpërthimit me dinamiti të Stalinit. Gazmendi është kushëriri im i parë, student te arkitektura në atë kohë. Unë isha mekanik, kur erdha në Tiranë nisa shofer. Isha me mësime shumë mirë, por nuk më jepnin shkollë. Ai mllef që kisha grumbulluar, desha që të mbetej me një veprim. Dhëndri i Saliut ka thënë dikur se  kam qenë disident për një fjalë goje, çështja e djathit. Imagjino çfarë ishim ne të tjerët.

Eljan Tanini: -Ku dhe si e gjetët dinamitin për atë akt? 

Bujar Nallbani: -Ishte edhe mundësia, dinamitin me tuba letre e gjeta në ushtri, kallëpë të gjatë, të gjata rreth 30 cm. Dinamitin e kisha nëpër këmbë, isha shofer i komandantit. Mundësia e vetme për ne të deklasuarit ishte të punonim dhe shkolloheshim më shumë se të tjerët, por prapë ishte e vështirë. Dinamitin e kisha nëpër këmbë kur bëheshin plasjet, i merrja pa më parë njeri. Lënda plasëse dilte me procesverbale. I rrëmbeva 10 copë kallëpë dinamiti për një muaj.

Me 10 ose 12 kallëpa dinamit Enver Hoxha në qendër të Tiranës do bëhej copash. 

Eljan Tanini: -Do kishe vrarë njerëz!

Bujar Nallbani: -Po të kisha vrarë njerëz te Stalini nuk do vija ta tregoja këtu. E kisha fshehur mirë dinamitin me rrethim balte që shpërthimi të ishte i amortizuar, nuk desha të vrisja njerëz, nuk desha të plagoseshin njerëz. Fitili ishte rreth 2 metra. 

Ishte 28 Mars 1990, dita nuk ishte shumë e gjatë ende. Pasi e pamë që nuk mundeshim te Enveri, vajtëm te Stalini. Nipin e kisha shumë të guximshëm.

247 persona u ndaluan për aktin që kryem në atë 28 Mars. Dinamitin e kisha vënë në një çantë të zezë. Shkurret pas monumentit të Stalinit na ndihmuan të afroheshim pas Stalinit të Parkut Rinia. Erdhëm nga Shallvaret, kishim emocion. Im kushëri më mbajti në supe, desha ta vija dinamitin te këmbët.

Karkasa e baltës mbante dinamitin, e vura te këmbët e Stalinit. Sapo zbrita, atë fitil e kapa pa dashje me krah, kishim edhe frikë. Nuk menduam ta vendosnim më sipër por e lamë te bazamenti poshtë.

Kur dolëm te Ish Lidhja e Shkrimtarëve në Rrugën e Kavajës, në një dyqan zarzavatesh mora qepë që mos të vija era dinamit. Instiktet tona vlonin nga frika dhe pasiguria. Vala goditëse ishte shumë e fortë. Kur ishim te Ish Lidhja e Shkrimtarëve dëgjoj shpërthimin!

Eljan Tanini: -Frikë e madhe?

Bujar Nallbani: -Ata arrestuan të gjithë të dyshuarit, ata që kishin nëpër letrat e tyre. Megjithëse nuk isha te letrat e tyre prapë kisha frikë. Vepra, monumenti apo shtatorja nga pas ishte çarë, bazamentin e rregulluan, por ata hapën një gropë nga pas për të treguar se ku kish rënë dinamiti, ose më saktë shpërthimi për ta. Vetëm shqiptarët rrinin, sapo kish rënë Muri i Berlinit, vrasjet në kufi ishin masive. Ne si popull duhet të lëviznim. Çasti kur dëgjuam shpërthimin, ishte lumturi e madhe, shpërthimi u dëgjua në të gjithë Tiranën.

Kur kaloje aty pranë shpërthimit njerëzit lëshonin pasthirrma, ishin të lumtur ‘’sa mirë ia kanë bërë”. Lënda shpërthyese ishte rreth 2 kg e gjysmë, ishte shumë e guximshme për kohën. 

Eljan Tanini: -Sipas një dokumenti të Kastriot Dervishit, në raportin e datës 2.4.1990, thuhet: “Në kuadrin e kërkimit të autorëve diversionistë, u vlerësua në kohë shpërthimi dhe rrëmbimi i armëve në depon e armëve të Kinostudios. Për këtë veprimtari armiqësore të ndodhur në orët e vona të natës së datës 29.3.1990 u arrit të zbulohen autorët dhe dy prej tyre janë në gjendje ndalimi, ndërsa për të tretin vazhdojnë kërkimet pasi është larguar në drejtim të paditur”. Ngjarja tregoi se po të kishin më shumë forma të tilla veprimesh, asnjëherë nuk do kapeshin autorët. Përmendoret e Stalinit u hoqën, sipas një skenari stalinist në orën 24.00 të 21 dhjetorit 1990.

Bujar Nallbani: -Ishte koha që edhe mund të të ekzekutonin te dera e shtëpisë. Ika nga Shqipëria, kisha frikë se mos dilte lajmi. Në atë kohë sigurova gruan dhe vajzën në Berat, ndërkohë unë arratisem nga Pogradeci. Kam folur edhe te Zëri i Amerikës. Fola për historinë e familjes sime kur kalova kufirin. Më çuan në Beograd, atje pas një muaji lidhem me xhaxhain. Ika Beograd-Athinë me Boing e më pas nisem për në Australi.

Eljan Tanini: -Si mund të lidhej një si ju në ato vite me Zërin e Amerikës?

Bujar Nallbani: -Duhet të kishe guxim dhe mllef! Isha i dërrmuar familjarisht. Këtu kishte marrë fund çdo gjë, më lindi idea të lidhesha me ta. Në radio dëgjoj edhe numrin e telefonit të tyre, e mbaj shënim.

Telefona nuk kishim! Vodha një telefon në repartin ku punoja, e mbaja fshehur dhe në bodrumet e qendrës, te Ministria e Bujqësisë pranë kaldajës shoh telat që kalonin nëpër zyra.

Po të lidhja telefonin tim paralel ai sipër do të dëgjonte zërin tim, kështu bëja lidhjen time. Kam folur me Zërin e Amerikës me Laura Kondën, ata donin të më merrnin mua në telefon që mos të harxhoja, nuk e kishin idenë se çfarë ndodhte këtu. Kam folur tre herë me ta. Kam folur unë, Kadare dhe Rexhep Qosja. Fijet e telefonit i lidhja siç ishin sa herë që mbaroja bisedën. 

Eljan Tanini: -Si shkoni në Australi? Si arratiseni? Nga?

Bujar Nallbani: -Arratisem nga Pogradeci.

Në Qershor 1990 ika, pastaj erdhën ngjarjet e ambasadave në Korrik, unë i pashë që nga larg kto ngjarje Eljan. Rri ca kohë në kamp, në Beograd. 1990, sistemi ishte në fund duke rënë. Iki në Australi, atje më pret xhaxhai. Në Sidnei më ndaluan, sepse kisha marrë me vete disa paketa cigaresh DS dhe, Konjak etj… Ata u çuditën nga era e cigareve shqiptare, kujtuan mos ishin hashash dhe drogë. Prita në aeroport! Më mbajtën dy orë e ca. Ndërkohë xhaxhai më priste nga ana tjetër e traut. Më pas ndërhyri ai, se ndryshe do të gjeja belanë. Vajta në vendin më të begatë të botës nga një vend që nuk kishte asgjë si ne. Australia ishte perlë e botës. Xhaxhai që ishte arratisur atje donte të më mbante, duke qenë se do ikja më futi në punë. Merrja 200 dollarë në ditë. As nuk i kisha imagjinuar aq shumë para! Në Australi qëndrova një vit, vajta atje edhe kur ndërroi jetë xhaxhai. Më la goxha gjëra. Në atë kohë erdha në Shqipëri më 100 mijë dollar.

Doja të hyja në politikë. Viti 1994, shoh ndryshimet politike. Kushuriri tashmë ishte në Itali. Shkoj te PD-ja e atyre viteve. Më pret Berisha dhe Azem Hajdari. Më pyesin, u thashë kush isha. Më përqafuan, më kishin kërkuar. Berisha më tha pse nuk ndenje në Australi?! U çudita shumë, nuk e prisja atë fjali! Rahmetliun Sokol Olldashi e njihja shumë mirë nga familjet tona. Ai më tha: “Pse vjen te PD-ja, ik se do të të fusin ndonjë “plumb”! Olldashin e vrau Saliu! Jam i bindur për këtë. Humba paratë në firma, një pjesë nga ato që mora në Australi.

Kam provuar të kandidoj për kreun e PD kur iku Berisha me gjasme. Një mentalitet komunisti si ai nuk e zhvillon dot vendin. Berisha ka vjedhur kaq hapur sa nuk e kuptoj dot si nuk dënohen këta njerëz! Biografi i Stalinit Simon Sebag Montefiore kur erdhi në Tiranë më ka komplimentuar për aktin tim. Për aktin tim që bëra për veten time dhe për këtë vend nuk kam marrë kurrë një dekoratë. As nuk e dua tani. Kam dashur gjithmonë të kontribuoja  për këtë vend pozitivisht dhe jo i korruptuar.  

***

Reflektim! Çfarë u desh të rikujtoja nga biseda me Bujarin?

Në fillim regjimi shqiptar ishte një mbështetës i ngushtë i politikës së Stalinit, duke zbatuar një formë shumë të ashpër të komunizmit, duke përfshirë represionin e grupeve opozitare, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe përdorimin e dhunës për të mbajtur pushtetin. Pas vitit 1956, kur Hoxha ndjeu se Stalini ishte kritikuar nga udhëheqësit sovjetikë, ai e mbajti për një kohë të gjatë një linjë pro-Staliniste, duke e quajtur veten "mbështetës të pastrimit stalinist" dhe duke refuzuar të ndiqte "reformën destalinizuese".

Numri i saktë i viktimave të regjimit të Stalinit është ende i diskutueshëm, varet nga burimet dhe metodat që përdoren për të llogaritur pasojat e politikave të tij. Sidoqoftë, studimet dhe hulumtimet e ndryshme sugjerojnë se numri i njerëzve që humbën jetën si pasojë e krimeve të Stalinit mund të jetë nga disa milionë deri në 20 milionë.

35 vite më pas, nuk duhet të harrojmë se:

Në fund të fundit ne e kemi ruajtur shumë keq edhe trashëgiminë e se keqes. Ajo duhej fosilizuar mirë në çdo hapësirë për të na ritreguar në çdo sekondë mos përsëritjen e atij regjimi. Vepra, skulptura, monumenti, shtatorja e Stalinit të Tiranës, pra ajo që goditi dinamiti i Bujar Nallbanit dhe Gazmend Llanajt, meriton të vendoset në një hapësirë të dedikuar, muze ose park muzeal për të shfaqur edhe një herë vlerat e artistit dhe skulptorit Nikolai Tomsky, por edhe të mirat dhe të ligat tona.

Sepse:
1. 5.11.1951, në Sheshin Skënderbej në Tiranë kjo shtatore përurohet nga Enver Hoxha. Ishte dhuratë për popullin shqiptar. 
2. Monumenti zhvendoset në vitin 1968 në Parkun Rinia në Tiranë, atje pranë ku sot është Monumenti i 100 Vjetorit të Pavarësisë sonë.
3. 21.12.1990 me Vendim të Këshillit të Ministrave të RPSH, Stalini hiqet nga Parku Rinia si shenjë destalinizmi dhe ndryshim i rrjetit politik. Bashkë me shumë enverë, stalinë dhe leninë e të tjerë vendosen në Qendrën e Krijimit të Veprave të Artit që gjendej përballë Pallatit me Shigjeta. 
4. 2013, vendoset pas Galerisë Kombëtare si joshje turistike dhe mbrojtje historike pasi shpëtoi nga shkrirja për skrap prej Rubens Shimës bashkë me shumë vepra të tjera.
5.  2022, me nisjen e restaurimit të Galerisë Kombëtare, zhvendoset pranë Ish Vilës së Mehmet Shehut në Ish Bllok.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: PD t’i thotë shqiptarëve pse refuzoi numërimin elektronik, por vendosi me komisionerë? Forcat e mëdha s'e shkrijnë dot SPAK-un

Spahiu: PD t’i thotë shqiptarëve pse refuzoi numërimin elektronik, por vendosi me komisionerë? Forcat e mëdha s'e shkrijnë dot SPAK-un