TIRANË- Vendimi i Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Apelit të GJKKO-së dhe për të rikthyer për rigjykim çështjen e pushimit të hetimeve ndaj tre gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, po shihet si një zhvillim që mund t’u kthehet në “bumerang” për vetë gjyqtarët që e çuan çështjen në këtë shkallë të gjyqësorit.

Trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, vendosi të shfuqizojë vendimin e Apelit të datës 27 nëntor 2020, që kishte urdhëruar pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve që i hoqën burgimin e përjetshëm Dritan Dajtit dhe e dënuan me 25 vite heqje lirie. Ata e rikthyen dosjen në të njëjtën gjykatë, por për t’u gjykuar nga një trupë tjetër.

Paradoksalisht, rekursin në Gjykatën e Lartë e kishin paraqitur vetë tre gjyqtarët, me kërkesën për t’u kthyer paratë e sekuestruara gjatë kontrolleve në banesat e tyre dhe celularë e mbajtur nga Prokuroria. Por, vendimi i fundit, në vend që t’u zgjidhte hallin, i rikthen sërish përballë një procesi të hapur, tashmë nën një trupë të re gjykuese.

Çështja lidhet me vendimin e bujshëm të vitit 2019, kur Damini, Nikolli dhe Aliaj, me shumicë votash, pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke i ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm në 25 vite burg. Dy gjyqtarët e tjerë të trupës, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, mbetën në pakicë. Ky vendim u anulua më pas nga Gjykata e Lartë, e cila më 11 qershor 2024 riktheu dënimin me burgim të përjetshëm për Dajtin, të dënuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht 2008 në Durrës.

Me rikthimin e hetimeve, jo vetëm që nuk u është kthyer ende pasuria e sekuestruar, por tre gjyqtarët rrezikojnë të përballen edhe me një rivlerësim më të thelluar të rolit të tyre në vendimmarrjen që uli dënimin për një nga ngjarjet më të rënda kriminale.

Dritan Dajti është shpallur fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht 2008 në Durrës, Kastriot FeskajAltin DizdariSajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani gjatë një operacioni për arrestimin e tij.