Ditën e nesërme, politikani shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, do të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve, për të qenë pjesë e parlamentit serb.
Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook duke e konsideruar Kamberin si zërin e vetëm të përfaqësimit të shqiptarëve atje. ka ftuar të gjithë votuesit shqiptarë t’u drejtohen masivisht kutive të votimit, në mbështetje të Kamberit dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”.
“Nesër, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë. Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit. Ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër masivisht t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaip Kamberin dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”, ka shkruar Meta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve me të drejtë vote në rivotimin në Tërnoc të Luginës që të dalin masivisht e të votojnë për Shaip Kamberin.
"Është e domosdoshme që nesër, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd. Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të. Vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës nesër, është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote. Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi. Andaj, u bëj thirrje, që nesër, më 27 maj, të përbashkoheni të gjithë ju më të drejtë vote në Tërnoc duke votuar z.Shaip Kamberin si zë i fuqishëm shqip e shqiptar, njerëzor e qytetar”, tha Kurti.