VLORË-Si rrallë herë një vjedhje në autobus ka marrë vëmendje të pazakontë që ka habitur të pranishmit në mjet si dhe kalimtarët që e kanë parë ngjarjen me kureshtje të madhe.
 
Sot një studente në qytetin e Vlorës në momentin që ka hapur çantën për të paguar biletën e autobusit ka vënë re se i mungonte portofoli. Ngjarja u shënua në zonën Bulevardi-Skelë, pranë Teatrit në një nga linjat e urbanit të Ujit të Ftohtë.
 
Sapo konstatoi vjedhjen studentja ka telefonuar në numrin e policisë të cilët kanë bllokuar menjëherë lëvizjen e autobusit dhe kanë kontrolluar çdo pasagjer para se të zbriste.
 
Pas kontrollit që i është bërë çdo pasagjeri në autobus, si përfundim portofoli nuk është gjetur.
 
Ngjarja është ndjekur me kureshtje nga kalimtarët ndërsa pas kontrollit policia ka shoqëruar studenten, e cila udhëtonte vetëm dhe me vete kishte dhe një valixhe.

Rastet e denoncimeve të vjedhjeve në automjetet e transportit urban janë të shpeshta, por reagimi i efektivëve të policisë me një kontroll të menjëhershëm dhe të imtësishëm është një taktikë e rrallë që mund të stepë hajdutët të jenë më të frikësuar e më të kujdesshëm para se të ndërmarrin një veprim të tillë.

[gallery]20713[/gallery]

Redaksia Online
d.b/Al.N/Shqiptarja.com