TIRANË- Me urdhër të prokurorisë së Tiranës, policia arrestoi gazetarin Eljo Laze, për gjobvënie. Ishte një zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik, K.Sh.,i cili bëri denoncim pranë autoriteteve, se gazetari Eljo Laze, pronari i portalit “Priza.al” i bënte shantazh përmes publikimit të lajmeve të pavërteta sipas tij, dhe për t’i fshirë ato, në këmbim, i kërkonte 20 mijë euro.
Burime nga grupi hetimor, thonë se, gazetari Laze, i ka kërkuar fillimisht të paguajë një këst, prej 5 mijë eurosh. Por që gjatë kësaj faze, zyrtari ka bërë denoncim në prokurori, dhe nën mbikëqyrjen e hetuesve, ka bërë dorëzimin e parave, të cilat kanë qenë të regjistruara me numër serie.
Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë, gazetari Eljo Laze, u arrestua në flagrancë nga efektivët, menjëherë pasi mori 5 mijë euro nga zyrtari. Ky episod ndodhi në zyrën e portalit që drejton gazetari Eljo Laze, e cila ndodhet në një apartament të një pallati brenda kompleksit “Kika” pranë Komunës së Parisit.
Gazetari 37-vjeçar ra në pranga dhe akuzohet për veprën penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”. Në portalin e gazetarit Eljo Laze, rezulton edhe tani i botuar një shkrim me akuza punonjësin e administratës publike, i publikuar më 19 janar të vitit 2026.
Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar se “vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”.
Elio Laze, prej vitit 2021 drejton portalin Priza.al, zyra e të cilit është në një apartament, te kompleksi "Kika" pranë Komunës së Parisit, ngjitur me Klinikën Indiane të Syrit. Më 28 maj të vitit 2021 ai është arrestuar nga policia për armë pa leje dhe lëndë narkotike gjatë kontrollit të makinës së tij në Tiranë, ku edhe nga analizat toksikologjike rezultoi se kishte qenë në efektin e substancave narkotike.
Brenda paketës së cigareve Elio Laze fshihte një cigare hashash. Por habia e vërtetë është kur në cantën e tij policia gjen edhe një pistoletë me plumb në grykë. Ishte një pistoletë e markës “Ekol” kalibri 9mm: armë lufte. Në atë kohë, gazetari pretendoi se armën ia kishte blerë një grupi të panjohurish për 200 euro, në mënyrë të pavullnetshme sipas tij, teksa ishte duke pirë hashash në zonën e njohur si “Lapidari” në kodrat e Tiranës.
Gazetari Elio Laze është arrestuar në ambientet e zyrës së portalit Priza.Al që ai drejton. Ky është momenti kur ai është arrestuar nga policia për gjobëvënie.
“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, operacioni i koduar “Portali 1”. Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari.
I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen shuma e eurove dhe 4 celularë. Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç. Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”, njofton Policia.
Komente











