VLORË- Zjarre të përmasave të mëdha kanë prekur pasditen e djeshme zonën e Kaninës, Tragjasës, Dukatit e Zvërnecit. Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e 2 zjarreve në Tragjas dhe Dukat, në banesën e piromanit është gjetur një armë zjarri me fishek në fole. Sa i përket zjarrit në Zvërnec e Dukat, policia e Vlorës ka arritur të identifikojë personat e dyshuar të cilët janë nën hetim.

Rreth 2000 rrënje ullinj të djegur, ndërsa dëmet nga zjarri i një dite më parë në Kaninë janë të konsiderueshme. Ndërhyrja për  shkak të terrenit u bë edhe nga ajri, ndërsa një ditë më vonë pasojat nga zjarri duken qartë. Për banorët, demet janë të mëdha ndërsa fatmirësisht nuk kanë pësuar dëme banesat.

Sipas tyre, një zjarr i tillë kishte vite të shumta pa u parë në Kaninë.Nga flakët janë djegur ullinj shekullore çka është e pamundur që ato të rikuperohen tashmë. Situata nga zjarret gjatë periudhës se fundit ka qenë problematike në disa zona të qytetit.